1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Sot përfundon afati i SHBA-së dhe BE-së për Kosovën, paralajmërohen pasoja

Me pasoja afatgjata do të përballet Kosova nëse kryeministri Albin Kurti nuk e pranon propozimin ndërkombëtar për ta depërshkallëzuar situatën në veri, ka paralajmëruar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të martën.

Sipas tij, përgjigjja e kryeministrit nuk do të pritet më shumë se deri të mërkurën (sot) dhe në rast se ajo është negative, do të konstatohet se Kurti nuk dëshiron bashkëpunim me SHBA-në e BE-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kohë deri të mërkurën (sot) që të kthejë përgjigjen nëse e pranon apo jo propozimin e SHBA-së dhe BE-së për depërshkallëzimin e situatës në veri.

Ultimatumi atij i është dhënë nga emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në takimin e së hënës mbrëma.

Kurtit gjatë takimit i janë kërkuar shtensionimi i situatës në veri, pastaj organizimi i zgjedhjeve të shpejta në veri dhe rikthimi në dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Takimi është mbajtur të hënën, por afati i përcaktuar është bërë i ditur tek pasditen e së martës, gjatë një takimi që i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Escobar, zhvilloi me përfaqësues të mediave në Kosovë.

Escobar në këtë takim po ashtu ka theksuar se mospranimi eventual i propozimit do të përcillet me pasoja ndaj Kosovës meqë, sipas tij, kjo do të nënkuptojë se kryeministri Kurti nuk dëshiron bashkëpunim me SHBA-në e BE-në.

“Dua ta bëj shumë të qartë se ne shohim se kjo do të ketë ndikim në raporte, në terma afatgjatë. Por, veprimet e marra apo të pandërmarra mund të kenë disa pasoja që do të mund të ndikojnë në pjesë të raportit tonë. Por, për këtë pjesë nuk dua të flas”, ka thënë Escobar në takim me gazetarët.

Sipas Escobarit, raportet e SHBA-së me kryeministrin Kurti kanë sfida, porse jo edhe mes dy popujve.

“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne – ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, ka thënë ai. “Shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin nuk do të prekin këtë sentiment”.

Emisari amerikan ka thënë se nga ekzekutivi është kërkuar që “të mos ndizen situatat që janë delikate dhe se është vlerësuar se ka pasur këmbëngulje, duke përdorur forcën për të futur kryetarët e rinj në ndërtesat komunale”.

Paralajmërimi i Escobarit

Një ditë pasi kryetarët e komunave të Leposaviqit, Zveçanit e Zubin-Potokut kryen ceremonitë e betimit në lokacione alternative, me ndihmën e Policisë së Kosovës, ata kanë hyrë në objektet komunale në qendër të qyteteve. Hyrja e tyre në këto institucione është kundërshtuar nga serbët, të cilët që nga 26 maji janë duke protestuar para tyre.

Protestat u shoqëruan edhe me tensione, nga të cilat mbetën të lënduar disa policë të Kosovës dhe rreth 30 ushtarë të KFOR-it, përfshirë 3 me armë zjarri. Po ashtu iu vu flaka dhe u dëmtuan disa vetura të Policisë dhe të mediave.

Moskoordinimi me SHBA-në për dërgimin e kryetarëve të rinj në tri komunat me shumicë serbe, sipas të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Gabriel Escobar, do të ketë pasoja.

“Edhe pse ne qëndrojmë pas tyre, ata nuk pranojnë të koordinohen. Kjo na lë ne të kuptojmë se si na shohin ata neve si partnerë dhe kjo duhet të ketë pasoja”, ka thënë Escobar të martën.

Pasoja e parë për Kosovën ishte përjashtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ushtrimi i madh që SHBA-ja organizon me aleatët “Defender Europe 2023”. Ushtrimi ishte duke u mbajtur në Kosovë, kur ai u ndërpre dhe nga Ambasada u njoftua se “për Kosovën ka marrë fund pjesëmarrja”.

Në kuadër të angazhimit të bashkërenduar të SHBA-së me BE-në për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e krijuar në veri, të martën emisarët Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak janë takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Presidenca njoftoi se në këtë takim Osmani është shprehur se mund të shpallen zgjedhjet e reja në veri.

“Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Pas takimit me Osmanin nuk u deklaruan emisarët Escobar e Lajçak. Por, në një njoftim të ndarë nga emisari i BE-së është bërë e ditur se në takim është theksuar “rëndësia e gjetjes së një zgjidhjeje politike që mundëson depërshkallëzimin e menjëhershëm dhe kthimin në normalizim”.

Dy emisarët në Kosovë arritën të hënën pasdite, derisa të parin që takuan me të ardhur në Prishtinë ishte kryeministri Albin Kurti. Pas takimit me të u shtrua po ashtu nevoja e depërshkallëzimit të situatës, derisa u bë thirrje që kërkesa e SHBA-së e BE-së të dëgjohet.

Takimi me Escobarin e Lajçakun alarmon opozitën

Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, të martën, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ai i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, takuan edhe kryetarët e partive opozitare.

Pas takimit me emisarët Escobar e Lajçak kryetarët e partive kryesore në opozitë alarmuan se Kosova ndodhet në një moment kritik.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u shpreh se e krerët shtetërorë me veprimet e ndërmarra në veri, pa koordinim me aleatët, janë duke e dëmtuar Kosovën në raportet e saj ndërkombëtare.

“Asnjëherë më shumë nuk kam parë ndonjë shqetësim të këtij niveli, të kësaj natyre, nga ana e partnerëve më të rëndësishëm të Kosovës. Vërtet ndjenjë aspak e mirë, aspak e lehtë që të dëgjosh SHBA-në dhe përfaqësuesin e BE-së duke shprehur këtë zhgënjim me Qeverinë e Kosovës, e cila e ka obligim që t’i forcojë raportet tona e jo t’i dëmtojë ato”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, është e rëndësishme që të mos ketë përshkallëzim të situatës së sigurisë, të ruhet qetësia në mënyrë që të ecet në rrugën para.

E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vlerësoi se kaq shqetësuese situata nuk ka qenë në tri dekadat e fundit të përpjekjes për liri e pavarësi. Ai foli edhe për pasoja që mund t’i vijnë shtetit, në rast se autoritetet nuk iu binden kërkesave të SHBA-së dhe BE-së. “Në këtë fazë Kosovës, qytetarëve tanë, Republikës sonë i mbetet të shohë pasojat që mund të vijnë nga një delegacion i tillë, në radhë të parë nga BE-ja, SHBA-ja dhe NATO-ja. Një gjendje të tillë si LDK e kemi të vështirë ta pranojmë, si parti politike opozitare me numër të kufizuar të deputetëve në Kuvend veprimet tona do të jenë publike”, ka thënë Abdxhiku.

Ai shtoi se përveç shqetësuese, situata është edhe e paqartë, siç tha, për mungesë të planit e gatishmërisë së kryeministrit Albin Kurti për t’u dakorduar me aleatët.

Krasniqi e Abdixhiku kërkuan reflektim nga ana e kryeministrit Albin Kurti e reagim nga presidentja Vjosa Osmani.

“Populli i ka zgjedhur këta njerëz për me i qeverisë, për me i zgjidhë problemet, e jo me i shkaktu problemet. Fatkeqësisht në këto dy vjet ne kemi vetëm probleme, kriza të shkaktuara nga kryeministri mbështetur edhe nga presidentja”, deklaroi kryetari i PDK-së.

“Qytetarët e Kosovës të kuptojnë përtej populizmit rrugën që kryeministri Kurti po e fut Kosovën. Po shpresoj që të reflektojë i njëjti dhe sërish po i bëj thirrje presidentes që të jetë më e zëshme, më e qartë në këtë moment kritik për Republikën e Kosovës”, shtoi Abdixhiku.

Në takim me emisarët Escobar e Lajçak ishte edhe Ramush Haradinaj, i cili drejton AAK-në, parti që ka ndërmarrë nismën për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Ai nuk dha ndonjë qëndrim pas takimit, e Krasniqi dhe Abdixhiku thanë se opozita nuk ka vota të mjaftueshme për të kaluar me sukses mocionin.

Pas takimit me liderët e partive opozitare shqiptare, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, tha se atyre u janë shpjeguar “pasojat e krizës aktuale dhe dëmet e reputacionit ndërkombëtar të Kosovës”.

“Ne u kemi kërkuar të përkrahin një zgjidhje politike për të ulur tensionet”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Përveç me liderët e përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së e AAK-së, dy diplomatët, Escobar e Lajçak, takuan edhe drejtuesit e partisë më të madhe serbe në Kosovë. Pas takimit me liderët e Listës Serbe, Goran Rakiq e Igor Simiq, Lajçak shkroi në Twitter se është theksuar nevoja që “serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja”.

Pas Kosovës, Escobar e Lajçak kanë vazhduar vizitën në Serbi, në përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë të situatës në veri./KOHA

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img