-1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Sot në Prishtinë marshohet nën moton ‘Stop Femicidit!’

Organizata joqeveritare Artpolis ka paralajmëruar se sot do të marshojnë nga sheshi ‘Zahir Pajaziti’ kundër shtypjes dhe vrasjes së grave.

Nën moton ‘Stop Femicidit! #BollMa’, marshi pritet të fillojë në orën 12:00.

Në njoftimin e Artpolis thuhet se vrasja e grave e dhuna sistematike e patriarkatit duhet të marrë fund!

Femicidi, mizogjenia e maskuliniteti toksik vazhdojnë të na terrorizojnë përditshëm. Jeta e grave cenohet çdo ditë, në shtëpi, në rrugë, në punë, në hapësira publike e private.

Femicidi është urgjencë kombëtare. Është momenti i fundit që institucionet tona dhe shoqëria ta trajtojë me seriozitetin më të lartë vrasjen e grave e dhunën ndaj tyre, dhe të dënojë maksimalisht kriminelët përkitazi me ligjin”, thuhet në njoftim.

Ky organizim vjen pas rastit tronditës të vrasjes së 30-vjeçares, Liridona Ademaj, në Prishtinë, i cili sipas organizatorëve, ka shpërfaqur fytyrën e vërtetë të sistemit patriarkal.

Vrasja e Liridona Ademajt ka shpërfaqur fytyrën e vërtetë të sistemit patriarkal. Nëse ndokush deri më tash ka pasur dyshime se femicidi nuk ekziston në Kosovë, vrasja e Liridona Ademajt është rast puro femicid: planifikim, organizim, ekzekutim.

Është momenti i fundit t’i japim fund femicidit.

Është momenti i fundit të sjellim drejtësi, e barazi gjinore.

Është momenti i fundit t’i japim fund patriarkatit, e bashkë me të edhe shtypjes.

Që të mos ketë Liridona të tjera, viktima të femicidit”, thuhet më tej në njoftim.

Ndryshe, mbrëmjen e 29 nëntorit, i gjithë vendi u trondit nga ngjarja makabre ku viktimë ishte 30-vjeçarja, Liridona Ademaj. Rasti fillimisht u cilësua ‘Grabitje e armatosur me pasojë vdekjen’, pasi të dyshuarit, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe bashkëshorti i së ndjerës, Naim Murseli, kishin inskenuar ngjarjen që të paraqitet si grabitje e armatosur.

Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

Naim Murseli ngarkohet me veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’.

Granit Plava ngarkohet me veprat penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Kushtrim Kokalla ngarkohet me veprën penale ‘Marrëveshje për të kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’’.

Trupi i të ndjerës, Liridona Ademaj, të hënën u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan, për t’u përcjellë në banesën e fundit në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.

Kjo vrasje e rëndë ka tronditur qytetarët, shoqërinë civile dhe akterët e fushës së politikës, të cilët kanë reaguar ashpër duke kërkuar dënim maksimal për kryesit e veprës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img