Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se për të prioritet është hedhja dritë mbi fatin e të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Hedhja e dritës mbi fatin e të zhdukurve të mbetur është një domosdoshmëri humanitare”, ka shkruar Sorensen në X, duke shtuar se familjet që ende presin të mësojnë për të dashurit e tyre meritojnë një epilog të kësaj çështje.
“Kjo është arsyeja pse personat e zhdukur janë prioritet për mua në dialog”, ka thënë Sorensen.
Sorensen është duke qëndruar në Kosovë që tri ditë në vizitën e tij të parë zyrtare që kur mori mandatin në shkurt të këtij viti.