Një sondazh i publikuar mbrëmë ku partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje kryeson e para me një dallim, sipas sondazhit të madh me partitë tjera, ka nxitur reagime të ashpra në mesin e opozitës.
Sipas sondazhit të UBO Consulting, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson në vend të parë me 48.5 për qind ndërsa partia e dytë që është listuar me 18.2 për qind është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Pas PDK-së, sipas sondazhit, radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me 17.9 për qind.
Krerët dhe zyrtarët e partive opozitare e kanë quajtur të porositur këtë sondazh, derisa kanë akuzuar partinë në pushtet për manipulim e propagandë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur propagandë sondazhin e publikuar, derisa ka prezantuar matjet që ata si LDK kanë bërë.
Ai tha se tash e dy muaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka porositur një seri sondazhesh, më të mëdha në historinë e anketimeve në Kosovë.
“Deri më tani, kanë përfunduar mbi 17,000 anketa vetëm në regjionin qendër. Rekord anketimesh këto për të siguruar saktësi të paprecedentë statistikore. Në pyetjen se, nëse zgjedhjet nacionale mbahen këtë të diel, për cilën parti do të votonit, rezultatet për LDK, të marra deri më tani vetëm për 5 qytete në regjionin qendër janë:
Prishtinë 35%, Lipjan 42%, Podujevë 35%, Obiliq 36%, Fushë Kosovë 34%”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai thotë se anketat, në këtë nivel, po bëhen gjithandej Kosovës, dhe ato do të publikohen me kohë.
Megjithatë thotë se do t’i publikojnë vetëm për LDK-në “sepse duan të ruajmë korrektësinë ndaj palëve tjera”.
Reagoi edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që vendi të shkojë në zgjedhje dhe të matin forcat aty.
Çitaku ka thënë se me qeverisjen e tij, Kurti do të shënojë në histori si më e dështuara ndonjëherë.
“Kryeministër, nëse je vërtetë i kënaqur me sondazhet, hajde shkojmë në zgjedhje. Edhe ashtu, prej korrikut të kemi lutë me e shpërnda Kuvendin. Çohu shkojmë në zgjedhje, edhe e merr vesh tamam se qysh i ke numrat edhe sa janë të kënaqur qytetarët me qeverisjen tënde, e cila do të shkoj n’histori si më e dështuara ndonjëherë!”, shkroi ajo.
Ndërkaq, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar që Prokuroria të ndërhyjë dhe të hetojë se prej nga janë marrë paratë për këto matje të opinionit publik, ngase siç thotë ai një hulumtim i thjeshtë sot kushton prej 25 e deri në 50 mijë euro.
“Shtrenjtim enorm i rrymës e i gjithë artikujve elementarë ushqimor. Kosto e jetesës e papërballueshme për më shumë se gjysmën e popullsisë, e dikush po ka para me pagu sondazhe e rezultatin e tyre! Një hulumtim i thjeshtë i opinionit publik sot kushton prej 25-50 mijë euro! Prej nga këto para?! Më e pakta do të duhej që të interesohej Prokuroria, sa paguajnë dhe prej nga i kanë paratë!”, ka shkruar Haradinaj.