Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka reaguar ndaj sondazhit të kompanisë “Valicon”, i cili e ka nxjerr VV-në me 52 për qind.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se Kosova meriton zgjidhje reale dhe jo statistika të rreme të lojërave shpërblyese.
“Asnjë mashtrim i VV-së nuk mund të fshehë dështimet e katër viteve të fundit. Kosovarët meritojnë lidership që fokusohet në zgjidhje reale, jo ne shifra të rreme të lojërave shpërblyese ne internet. E ardhmja e Kosovës është shumë e rëndësishme e nuk i meriton këto lojëra te VV-së. Ndryshimi po vjen për Kosovën”, ka thënë Mustafa.
Ndër të tjera, ai ka theksuar rëndësinë e trashëgimisë politike të presidentit historik, Ibrahim Rugovës.
“Përshëndetje nga Lidhja Demokratike e Kosovës, shtëpia e lirisë, pavarësisë, demokracisë themelet e së cilës i vendosi Ibrahim Rugova e ku zot shtëpie, dikur fizikisht e përgjithmonë shpirtërisht është Ibrahim Rugova”, është shprehur Mustafa.