Pandemia e COVID-19, lufta në Ukrainë dhe tani kriza e kostos së jetesës po dëmtojnë moralin e punonjësve evropianë në një mënyrë të paprecedentë.
Sipas një studimi të ri nga kompania e shërbimeve të mirëqenies LifeWorks, më shumë se 500 persona morën pjesë në një sondazh online në prill në Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Holandë dhe Poloni.
Gati gjysma thanë se ishin prekur nga stresi më shumë sesa para pandemisë. Një e treta thanë se shëndeti i tyre mendor po ndikonte negativisht në produktivitet.
Në përgjithësi, 41% e të anketuarve nga LifeWorks u konsideruan në rrezik të lartë për të pasur një çrregullim të shëndetit mendor, si ankthi dhe depresioni. Kjo është gati trefishi i përqindjes së raportuar në sondazhet e kryera në 2017-2019, përpara pandemisë.
“Kjo periudhë kohore do të jetë e rëndësishme në histori, mendoj unë, për trazirat e pamëshirshme që po kalojnë popullatat,” tha për Euronews Next, udhëheqësja e LifeWorks, Paula Allen.
“Kur mendoni për atë që kanë kaluar europianët gjatë kohës së fundit, ju me të vërtetë kuptoni pse ndodhi kjo. Ne patëm pandeminë, ndikimin ekonomik të pandemisë, izolimin, ndjenjën e humbjes së kontrollit”, tha ajo.
“Dhe atëherë kur filluam të shihnim dritë në fund të tunelit, u shfaq lufta në Ukrainë”.
Të rinjtë, gratë, prindërit dhe ata me të ardhura më të ulëta janë duke luftuar më shumë, thuhet në raport. Lidhja midis të ardhurave dhe shëndetit mendor është “shumë e fortë”, tha Allen, citon Anabel.
Tani punonjësit janë në ankth për inflacionin e lartë dhe frikën se nuk mund t’ia dalin dot. Më shumë se një e treta e të anketuarve thanë se nuk kanë kursime për raste emergjente.