Virusi COVID-19, i njohur si coronavirusi, deri më tani ka prekur një pjesë të madhe të vendeve të botës ku ndër to së fundmi edhe Kosovën.
Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në Kosovë, Pyper ka realizuar një sondazh me rreth 1450 qytetarë përmes një mostre jo të rastësishme në lidhje me gjendjen aktuale.
Të dhënat e sondazhit kanë treguar se sa u përket vendimeve të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së coronavirusit, si shumë e arsyeshme është konsideruar anulimi i përkohshëm i transportit tokësor dhe ajror nga Gjermania, Franca, Zvicra dhe Italia (70.56%) si dhe mbyllja e institucioneve edukativo-arsimore (62.10%).
Po ashtu, përpos masave të ndërmarra nga qeveria, së fundmi burime të ndryshme kanë informuar qytetarët se si të mbrohen nga coronavirusi.
Andaj edhe siç tregojnë të dhënat, shumica e respondentëve (89.96%) pohojnë se janë të informuar rreth masave mbrojtëse ndaj coronavirusit.
Mirëpo prej të gjithë respondentëve, vërehet se jo të gjithë kanë marrë masa parandaluese. Prej të gjithë atyre që kanë ndërmarrë masa (69.81%), masa më e ndërmarrë ka të bëjë me përdorimin e mjeteve dezinfektuese (71.2%), limitimin e të dalurave në ambiente me njerëz (63.7%), shmangien e përshëndetjeve dorë më dorë si dhe përqafimeve (55.5%), mbajtjen e distancës me persona tjerë (52.5%) dhe përdorimin e suplementeve siç janë vitaminat e ndryshme, acidet yndyrore etj (30.5%).
Ndërkaq përdorimi i maskës (27.4%) si dhe përdorimi i dorëzave (25%) janë raportuar se po përdoren më së paku. Gjithashtu vlen të ceket se një numër i konsiderueshëm i respondentëve (57.15%) kanë raportuar se po i kushtojnë më shumë rëndësi higjienës personale prej se është përfolur rreth përhapjes së coronavirusit.
Veç kësaj, vlen të ceket se të dhënat e sondazhit kanë treguar se 44.15% e respondentëve vlerësojnë se rreziku rreth coronavirusit po ekzagjerohet nga mediat vendore dhe ato të huaja.
Sidoqoftë, siç duket, kjo nuk po i ndalon qytetarët që të furnizohen me gjëra shtesë. Prej të gjithë respondentëve, rreth gjysma e tyre (50.34%) kanë pohuar se gjatë kësaj jave kanë blerë gjëra shtesë në familjen e tyre si rezultat i coronavirusit. Arsyeja pas kësaj siç duket ka të bëjë me të pasurit rezerva në rast izolimi brenda shtëpisë nga coronavirusi (73.9%), të pasurit rezerva në rast të mungesës së produkteve në treg (58.3%) si dhe të pasurit rezerva në rast se rritet çmimi i produkteve ditëve në vijim (38.1%).
Në mesin e produkteve të blera, vendin më të madh vërehet se e zënë ushqimet esenciale (86.2%), duke u pasuar nga mjetet dezinfektuese/higjienike (61.5%), barnat e suplementet e ndryshme (42.8%), maskat (22.8%) si dhe dorëzat (21.1%).