Site icon PrishtinaPress

Sole: Kurti e kuptoi se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është prioritet

Sipas këshilltarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Scholl, SHBA po shton presionin diplomatik ndaj Kosovës dhe Serbisë për të parandaluar përhapjen e dhunës në Ballkanin Perëndimor. Formimi i Asociacionit është një çështje urgjente dhe këtë e kupton kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha Sole, në një intervistë për Financial Times.

“Ne jemi të shqetësuar për përhapjen e dhunës. Gjëja e fundit që secili prej nesh dëshiron tani është një krizë në këtë pjesë të botës, duke qenë se kemi krizën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore, jo shumë larg Gadishullit Ballkanik”, deklaroi Sole

Sole tha se SHBA-të nuk duan që situata në veri të Kosovës të përsëritet.

“Ne nuk duam të përballemi me diplomaci që de-përshkallëzon krizën. Fillimisht targa, pastaj barrikada, nuk duam diçka të tillë në ditët në vijim”, shtoi Sole.

Sipas tij, muajt e fundit ka pasur një mundësi të rrallë për të arritur një marrëveshje, pasi Kosova dhe Serbia ranë dakord që ta lënë anash çështjen e targave duke u fokusuar në një marrëveshje të bazuar në një propozim franko-gjerman.

“Mendoj se ka një rrugë të mesme që mund ta ndjekim, përndryshe nuk do të shqetësoheshim për këtë”, tha Sole, duke shtuar se është optimist se mund të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet në tre hapa bazuar në propozimin franko-gjerman.

“Hapi i parë është që Kosova dhe Serbia të normalizojnë marrëdhëniet pa njohje të plotë reciproke, siç kanë bërë vendet e tjera. Të paktën si një hap fillestar. Kjo është një mënyrë për ta vendosur Kosovën në rrugën euroatlantike”, thotë Sole.

Për të arritur këtë, Sole pretendon se të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për kompromis.

“Serbët përfundimisht do të duhet të pranojnë një nivel të caktuar të sovranitetit. Kosova duhet t’u japë qytetarëve të saj serb autonomi më të madhe, veçanërisht Asociacionit e Komunave Serbe në veri. I thashë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit se kjo çështje është urgjente dhe ai e kuptoi rëndësinë”, tha Sole.

Sipas tij, një nga arsyet pse SHBA insiston për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është “heqja e levës ruse nga Serbia”.

“Serbia, e varur prej kohësh nga energjia ruse, ka filluar të diversifikojë burimet e saj të energjisë dhe të reduktojë mbështetjen ruse. Kjo e la çështjen e Kosovës si levë të fundit që Moska ka mbi Beogradin, aspekt që nuk i shpëton Uashingtonit”, tha ai./Prishtinapress/

Exit mobile version