Sokol Havolli përmes një letre dërguar kreut të BQK-së, Fehmi Mehmetit dhe kreut të Bordit të BQK-së, Flamur Mrasorit, ka njoftuar për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga pozita e zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare.
Havolli në letrën e siguruar nga Gazeta Express ka treguar se po dorëhiqet si rezultat i presioneve të mëdha politike të cilat thotë se kanë filluar nga dhjetori i vitit 2021.
Havolli në letrën e tij përmend edhe njerëz brenda BQK-së të cilët kanë thënë se po zbatojnë urdhra “nga lartë”.
Ai ishte emëruar Zëvendësguvernator për Mbikëqyrje Financiare në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës më datën 1 korrik 2018 nga Bordi i BQK-së.