SHKA ‘Sofra Pejane’ ishte pikë qëndrore e programeve festive në mbrëmjen e ndërrimit të moteve 2023/2024 në transmetuesin publik RTK dhe Televizionin Nacional Klan Kosova.
Repertori dhe paraqitja u mirëprit nga publiku i gjërë, përderisa programi mori komplimente edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së Shkumbin Ahmetgjekaj, i cili ka bartur një mesazh respekti e përkrahje për kryesinë e kësaj shoqërie.
Transmetuesi publik RTK, e nisi festën me këtë shoqëri e cila u prezantua nga ora 21:00, përderisa Televizioni Klan Kosova, i dha hapësirë që në minutat e para të vitit 2024.
Ndërsa sonte (e Hënë) me 1 Janar, SHKA ‘Sofra Pejane’ do të paraqitet me emisionin muzikor në Televizionin e njohur nacional ATV.
Zija Rexhepi – Drejtor i ATV-së i ka dhënë mbështetjen këtij projekti duke u kujdesur që stafi televiziv të ndërtojë një skenografi tradicionale muzikore shqiptare, enkas për këtë shoqëri, e cila në ekranin e ATV -së do paraqitet sonte më 1 Janar 2024 nga ora 23:30 minuta.
Në të tre televizionet nacionale SHKA ‘Sofra Pejane’ u prezantua me repertor premierë dhe me paraqitje skenike të garderobës së veçant me motive qytetarie.
Ndryshe, projektet e SHKA ‘Sofra Pejane’, që nga pas Pandemia mbështeten financiarisht nga gjigandi ekonomik ‘Elkos Group-Etc’, respektivisht presidenti i saj Ramiz Kelmendi.
Nga viti 2017, me një vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, SHKA. ‘Sofra Pejane’ është futur në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme nga shteti, si vlerë e trashëgimisë shpirtërore-muzikore. /Njëshi/