I dërguari i Shteteve te Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani që t’i dënojnë sulmet që tha se po bëhen në Kosovë ndaj të dërguarit të BE-dë për dialogun, Miroslav Lajçak.
Duke komentuar akuzat e Kurtit se Lajçak po e dëmton dialogun dhe po punon kundër Kosovës, Escobar tha se ai gëzon besimin e BE-së dhe SHBA-së. Ai bëri të ditur se s’do të merren parasysh as letrat që Kurti ua ka dërguar kryeqendrave botërore për t’iu treguar se “kemi të bëjmë me një emisar që e ka deformuar procesin”. Escobar tha se “Lajçaku nuk do të largohet” dhe “dialogu nuk do të largohet”.
“Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës. Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, tha diplomati amerikan.
Kurti doli të hënën në një konferencë për media bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi dhe e akuzoi emisarin europian se ishte koordinuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për ta vënë atë përballë një skenari të cilin tha se “dukej se e kishte dizejnuar kohë më parë”.
Kurti tha se të enjten në Bruksel “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës” dhe se në takimin me Vuçiqin ai u ekspozua “përballë një skenari” të Lajçak.
“Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës”, theksoi Kurti. Vuçiq dhe Lajçak, sipas tij, ishin të koordinuar.
“Në takimin trilateral, u ekspozova përballë një sklenari të cilin z. Lajçak dukej se e kishte dizejnuar kohë më parë”, tha ai.
Kurti tha po ashtu se e kishte prezantuar propozimin e tij për zbatimin e marrëveshjes, ndërsa Vuçiq dhe Lajçak i reaguan “me të njëjtin mendim”, duke e shpërfillur.
“Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy thanë që ky plan është shumë jorealist”, tha Kurti.
Kurti tha se “ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike në tërësi, ose s’mund t’i zbatojmë vetëm ato që i do Serbia”.