Ideja franko-gjermane për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë u përvetësua nga Bashkimi Europian dhe u prezantua nga Përfaqësuesi i Lartë i Unionit, Josep Borrell, si një propozim që ka përkrahjen e 27 shteteve anëtare, përfshirë edhe ato që vazhdojnë të refuzojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Alma Baxhaku
Takimin e të hënës në Bruksel, Borrell e prezantoi si progres dhe arritje të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë bazuar në këtë plan edhe pse nuk u nënshkrua asgjë dhe pati konfuzion në opinion kosovar dhe serb mbi rezultatin real të arritur.
Por, mungesa e nënshkrimit të kësaj marrëveshje po shkakton mosbindjen e shteteve mosnjohëse që të ndryshojnë qëndrimin e tyre karshi shtetësisë së Kosovës.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Ministria e Jashtme e Sllovakisë e konsideron një arritje të rëndësishme pajtimin e palëve mbi propozimin europian, por duan marrëveshje të nënshkruar.
“Rezultati i takimit të fundit në dialog është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo mund të jetë një shtysë për negociata të mëtejshme që çojnë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre”.
Për të ardhmen e dialogut, Sllovakia ndan të njëjtin qëndrim sikurse BE-ja.
“Nga të dyja palët presim zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe një qasje konstruktive në raundet e ardhshme të negociatave. M. Lajçak dhe J. Borrell kanë mbështetjen tonë të plotë në lehtësimin e dialogut”, përfundon përgjigjja.
“Spanja mban qëndrimin e saj për mosnjohje të deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në vitin 2008”, thuhet në këtë përgjigje.
Megjithatë, Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës, duke thënë se ‘çështja e territorit të Kosovës’ duhet të zgjidhet me dialog, ka shtruar urgjencën që kjo çështje të zgjidhet.
“Ne mbrojmë nevojën që çështja e territorit të Kosovës të zgjidhet përmes dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Është koha për të bërë përpjekje përfundimtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ne mbështesim interesimin e madh të përfaqësuesit të Lartë të BE-së për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit dhe mbështesim plotësisht punën e emisarit për dialogun, Lajçak”.
Njëjtë sikurse Sllovakia edhe Spanja tha se rezultati i takimit të 27 shkurtit ishte hap përpara, por se ende ka punë për t’u bërë sa i përket arritjes së një marrëveshje për normalizimin e raporteve bazuar në propozimin e BE-së, që është mirëpritur nga Këshilli Europian në shkurt.
“Edhe pse është pozitive që si Prishtina, ashtu edhe Beogradi, janë pajtuar për tekstin e propozimit pa asnjë ndryshim, nuk do të ketë marrëveshje të fortë pa pasë një plan të qartë se si do të zbatohet”.
Para takimit të 27 shkurtit, emisari Lajçak ka mbajtur takime me zyrtarë nga pesë vendet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës. Nga ana tjetër, kryeministri Kurti ka insistuar se nga marrëveshja me Serbinë, Kosova duhet të marrë njohjen e Spanjës, Sllovakisë, Qipros, Rumanisë dhe Greqisë.