“Stone in the Galilee” është një simpozium i cili organizohet në qytetin Maalot Tarshiha të Izraelit, e këtë vit ishte pjesëmarrëse edhe Kosova për herë të parë.
Këtë vit festivali u mbajt me rastin e përvjetorit të qytetit Maalot Tarshiha, përcjell Koha.net.
Butrint Morina, është skulptori nga Rixheva e Klinës i cili mori pjesë këtë vit, duke e përfaqësuar Kosovën dhe traditën tonë për herë të parë në këtë festival.
Këtë vit ishte edicioni i 27-të i këtij simpoziumi, që u mbajt me rastin e 60-të vjetorit të themelimit të këtij qyteti.
Morina ka bërë të ditur për portalin Koha.net se konkursi ka qenë i hapur ndërkombëtarisht, dhe tema ka qenë 60-të vjetori i qytetit.
“Unë konkurrova me projekt-propozimin tim, ashtu siç kanë konkurruar edhe shumë skulptorë tjerë nga gjithë bota, kështu u përzgjodha në mesin e 14-të artistëve pjesëmarrës nga një juri shumë profesionale”, tha ai.
Pjesëmarrësit tjerë ishin nga Izraeli, Kina, Rusia, Italia, Spanja, Ukraina, Gjeorgjia dhe Nepali, etj.
Butrint Morina tutje ka treguar edhe për projektin e tij me të cilin mori pjesë dhe gjithashtu ka treguar për domethënien që kishte dhe përshtypjet që ka lënë në këtë festival.
“Projekti im titullohej “Mundi” që paraqet një formë organike të një lëvizje të mundimshme që të jep përshtypjen që po zvarritet dhe nuk po ndalet pasi do të arrij një qëllim të synuar. Me këtë projekt unë u mundova të shpreh mundimin dhe përpjekjet që kanë bërë qytetarët për ta ndërtuar këtë vend”, tregoi tutje Morina për portalin.
Megjithatë, ai ka treguar se nuk ka qenë fare një rrugë e lehtë, për të ishte mjaft e vështirë dhe e mundimshme, por ai nuk është dorëzuar deri në fund.
Skulptura e artistit kosovar është ndërtuar me material guri të llojit “Limenstone”, që gjithsej ka pas dimensionet 200x170x110cm.
Ky simpozium, për Butrint Morinën ka qenë i katërti ndërkombëtarisht, pra që ka marrë pjesë në vende jashtë Kosovës.
Në pjesëmarrjen e tij, Morina dhe të gjithë konkurrentët tjerë morën dhurata dhe mirënjohje nga organizatorët.
Gjatë këtij muaji, artisti nga Kosova ka fituar edhe në një konkurs në Tiranë, i cili shumë shpejtë do të fillojë të realizoj skulpturën e cila do të vendoset në Lezhë pranë bankës “Kredins”, për të cilën ai shpreson ta përfundoj gjatë kësaj pranvere.