Ekipi Menaxhues, që u themelua më 2013 e që përbëhet nga përfaqësues të komunitetit serb, do të nisë diskutimin mbi temën e nxehtë të Asociacionit në takimin e sotëm në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ky i fundit para takimit ka deklaruar se Ekipi Menaxhues më 2 maj, do të prezantojë statutin për formimin e Asociacionit, por ka shtuar se “nuk ka shpresa të mëdha që pala tjetër do ta pranojë atë”, duke lënë të nënkuptohet se e di përmbajtjen.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria e tij nuk e ka asnjë anëtar në këtë ekip derisa ka shfaqur rezervat për të, duke thënë se nuk e njeh edhe aq punën e tij.
“Ai ekip menaxhues edhe statusin edhe punën e ka jo aq të njohur, megjithatë ky ka qenë qëndrimi i ndërmjetësimit. Ndërsa, unë si kryeministër i Kosovës kujdesem për kushtetutshmëri, ligjshmëri dhe që gjithçka të jetë në funksion me qëllimet dhe parimet tona”, pati thënë Kurti.
Para takimit Kurti u tregua edhe kurioz.
“Do ta isha i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur ata”..
Kryeministri po ashtu siguroi se nuk do ta lejojë krijimin e një Republike që i ngjan asaj Srpksa në Bosnje.
“Ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializmit dhe krijimi i çdo gjëje që do të ngjante me Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne nuk do të lejojmë një satelit serb me elementë shkatërrues, që do të minonte shtetin e Kosovës”.
Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shkoi edhe më tej duke e quajtur “draft të Vuçiqit” atë që sot do të prezantohet në dialog.
“Pritjet e mia si presidente, është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse nuk guxojmë që të lejojmë që drafti i të ashtuquajturës ekipi menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave, pra ta kemi draftin tonë që është në bazë të Kushtetutës”, tha Osmani.
Për çështjen e dialogut me theks te Asociacioni, Kurti mbrëmë mori një telefonatë të rëndësishme.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dje zhvilloi një bisedë me Kurtin për rëndësinë e implementimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në “mënyrë të menjëhershme”.
“Një bisedë shumë e mirë me kryeministrin Albin Kurti rreth takimit të liderëve më 2 maj, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmes dialogut të lehtësuar nga BE, rëndësinë e implementimit të menjëhershëm të Asociacionit me shumicë Serbe dhe partneritetin e fuqishëm mes SHBA-së dhe Kosovës”.
Takimi mes Kurtit e Vuçiqit do të nisë nga ora 18:00 nën ndërmjetësimin e europianëve, ndërsa edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar, ka udhëtuar në Bruksel për shkak të takimit.
Emisari i BE’së për dialogun Miroslav Lajçak tha ndërkaq se prezantimi i draftit është fillimi i procesit të implementimit të Asociacionit.
“Ekipi menaxhues do të prezantojë draftin. Nuk e dimë se çfarë është në të, por duhet të jetë fillimi i procesit. Në fund të kemi një statut që është i pranueshëm për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në në përputhje me standardet evropiane. Ky është hapi i parë i rëndësishëm,” i tha Lajçak agjencisë kroate të lajmeve Hina.