-1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Skandaloze: Dy herë u kërkua mjeku për Agonin në karantinë, Ministria e Shëndetësisë u përgjigj pasi ai vdiq (Dokument)

Dy herë ishte kërkuar ndihmë për Agon Musliun, rreth një orë para se ai të hidhej nga konviktet në Prishtinë, ku po mbahej i karantinuar, por ajo nuk i kishte ardhur nga institucionet shtetërore dhe ai kishte vdekur.

Indeksonline ka siguruar komunikime zyrtare, të cilat dëshmojnë për dramën e ndodhur ditën e diel, më 3 maj.

Këto dokumente, po ashtu, vërtetojnë se bartësit e MSH dhe MPB ishin të njoftuar për gjendjen e Agon Musliut dhe përgënjeshtrojnë deklarimet e tyre se nuk kanë pasur informacione për këtë rast.

Në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Brendshme, kërkesa e parë për konsulencë specialistike për katër persona të karantinuar, në mesin e të cilëve ishte dhe 26 vjeçari nga Gjilani, kishte mbërritur në orën 16:34. Ajo ishte dërguar nga Valdet Hashani, nga Qendra e Studentëve e shndërruar në karantinë për të riatdhesuarit gjatë pandemisë.

“Të nderuar, pas vizitave mjekësore të ekipit mjekësor në Karantinën QS, pacientët e poshtëshënuar kanë shfaqur shqetësime dhe kanë kërkuar konsulencë specialistike”, thuhet në e-mailin e dërguar nga Hashani.

Kërkesa e dytë, në të njëjtat e adresa, kishte shkuar në orën 17:03 minuta nga Qendra Operative Emergjente e Gjilanit, në të cilën tregohej se Agon Musliu ishte depresiv dhe urgjentisht kishte nevojë për kontroll nga neuropsikiatri.

“Të nderuar, Agon Musliu, ne konviktin nr. 7, kati 4, i lindur me 30.12.1994, është kthyer dje nga Gjermania. Ju kërkojmë urgjentisht, nëse keni mundësi ju si shtab i emergjencave në Prishtinë, të kontrollohet nga neuropsikiatri, sepse është depresiv. Presim konfirmimin tuaj”, thuhet në e-mailin e Qendrës Operative Emergjente e Gjilanit.

Ajo që përbën skandal, përveç neglizhencës institucionale të treguar ndaj Agon Musliut, të cilit kjo gjë i kushtoi me jetë, është se Ministria e Shëndetësisë i ishte përgjigjur këtij e-maili në orën 17:31, pasi që ai ishte hedhur nga konviktet dhe kishte gjetur vdekjen.

“Të nderuar, sipas kërkesës së mëposhtme, ju njoftojmë se kemi përcjell kërkesën me angazhim të ekipeve mjekësore në Karantinën e Qendrës Studentore”, thuhet në përgjigjen e Qendrës Operative Emergjente – Ministria e Shëndetësisë.

Humbja e jetës së Agon Musliut ka ngjallur reagime të mëdha në opinion, pasi që ai ishte dërguar në karantinë, përkundër kërkesave dhe dëshmive mjekësore se kishte probleme me shëndetin dhe kërkohej që të lirohej për në shtëpi.

Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me këtë rast, ndërsa nuk kanë munguar as thirrjet për dorëheqjen e Ministrit Arben Vitia dhe Ministrit Xhelal Sveçla. /Indeksonline/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img