1.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Skandaloze: Avokati i Popullit vërteton shkeljet e Ministrit të MPB-së z. Flamur Sefaj më vendimin për anulim të procedurës së rekrutimit për 17 kandidatët e përzgjedhur të cilët kanë rënë viktimë e këtij vendimi

Avokati i Popullit i ka përcjellë sot Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Kryeshefit Ekzekutiv të Inspektoratit Policor, Raportin me rekomandime përkitazi me Vendimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, të datës 29 dhjetor 2017, për anulimin e procesit të rekrutimit për Inspektor/Hetues, të shpallur më 24 korrik 2017.

Rasti është hapur sipas detyrës zyrtare nga ana e Avokatit të Popullit, me qëllim të vlerësimit të vendimit të ministrit të MPB-së, për pezullimin e nënshkrimit të kontratave me kandidatët e sukseshëm në konkursin e Inspektoratit Policor të Kosovës për Inspektor/Hetues dhe kërkesën për anulimin e tërësishëm të procedurës së rekrutimit.

Në arsyetimin e dhënë nga Ministri i MPB-së për pezullimin e nënshkrimit të kontratave, thuhet se vendimi është marrë për shkak të ankesave të shumta që kanë pranuar ai dhe Kryeministri, nga kandidatët që nuk janë përzgjedhur në konkursin në fjalë dhe është bazuar në nenin 10 të Ligjit Nr. 03/L-128 për Auditimin e Brendshëm, si dhe nenin 9 paragrafi 1, nën-paragrafët 1.4, 1.5, dhe nenit 16 të Rregullores nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së Kryeministrit dhe ministrive. Ministri i MPB nuk ka dhënë ndonjë sqarim lidhur me zbatimin apo mos-zbatimin e UA Nr.1/2017 për procedurat lidhur me kushtet e punësimit dhe të punës për punonjësit e IPK, në bazë të të cilit është shpallur konkursi.

Në Raportin e tij, Avokati i Popullit e ka analizuar mbështetjen ligjore në të cilin është thirrur Ministri i MPB-së në arsyetimin e dhënë dhe e ka vlerësuar si jo relevant në rastin konkret.

Funksionimi i IKP-së bazohet në Ligjin për Inspektoratin Policor, i cili e përcakton atë si institucion ekzekutiv të MPB-së, të pavarur nga Policia e Kosovës, që funksionon nën autoritetin e Ministrit dhe nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së.
Avokati i Popullit më tej në Raportin e tij, vlerëson se Ligji për IPK-në ka bërë ndarjen e qartë në mes të kompetencave të Ministrit dhe Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së dhe se rrjedhimisht, Kryeshefi Ekzekutiv është subjekti përgjegjës, i cili duhet ta bëjë organizimin e punësimit të personelit.

Avokati i Popullit vlerëson se kërkesa e Ministrit për anulimin e procedurës së finalizuar përbën tejkalim të kompetencave të tij ligjore, ashtu siç vendimi i Kryeshefit Ekzekutiv për anulimin e procedurës, sipas kërkesës së Ministrit, përbën tejkalim të kompetencave ligjore edhe nga ana e Kryeshefit Ekzekutiv dhe ngre një sërë çështjesh kushtetuese dhe ligjore nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Avokati i Popullit konsideron se me anulimin e procedurës së rekrutimit janë shkelur: Parimi i ligjshmërisë, neni 4 (paragrafi 1 dhe 2); Parimi i objektivitetit dhe paanësisë, neni 7; Parimi i pritshmërisë së ligjshme dhe të arsyeshme, neni 8; Parimi i të drejtës në mjete juridike, neni 13 – të përcaktuara me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, të cilat përbëjnë elemente qenësore të një procesi të rregullt.

Në Raportin e tij, Avokati i Popullit konstaton se Vendimi për anulimin e procedurës së rekrutimit demonstron dështimin e autoriteteve, për të qenë objektiv dhe të paanshëm gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, me çka vihet në konstatimin se ka pasur ndërhyrje në të drejtat e kandidatëve të suksesshëm për të themeluar marrëdhënie të punës, të garantuar me nenin 49 të Kushtetutës.

Avokati i Popullit vë në pah se shteti, në raste të caktuara, ka të drejtë të ndërhyjë në të drejtat e garantuara, por, çfarëdo ndërhyrje dhe kufizim i këtyre të drejtave, mund të bëhet “vetëm me ligj” dhe kur këto kanë “qëllime legjitime” të cilat janë “të domosdoshme për një shoqëri demokratike”. Në rastin që trajtohet në këtë Raport, Avokati i Popullit konstaton se Vendimi i Ministrit të MPB për anulimin e nënshkrimit të kontratave me kandidatët e suksesshëm, dhe kërkesa e Ministrit të MPB për nxjerrjen e vendimit nga Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së për anulimin e procesit të rekrutimit, i datës 29 dhjetor 2017, përbëjnë veprime që cenojnë: të drejtën e kandidatëve në punë dhe në ushtrimin e profesionit; të drejtën në një gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe të drejtën në mjete efektive juridike.

Në bazë të analizës, vlerësimeve dhe konstatimeve, Avokati i Popullit i rekomandon Ministrit të MPB-së të tërheq kërkesën me të cilën ka kërkuar nga Kryeshefi Ekzekutiv anulimin e procesit të rekrutimit në IPK, si dhe të përmbahet nga ndërhyrjet në organizimin dhe punësimin e personelit dhe marrjen e vendimeve për çështjet që i përkasin funksioneve të IPK-së, ndërkaq Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së i rekomandon që në pajtim me Ligj, të ndërmarrë veprime për anulimin e Vendimit nr.pro. 01/112/2754/1, të datës 29 dhjetor 2017.
Raporti me rekomandime, në formatin e tij të plotë, i është përcjellë sot autoriteteteve përgjegjëse të sipërpërmendura dhe i njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqe, në: http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/Ex_Officio_rasti_nr_731-2017____364686.pdf

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img