Shtatë punonjës të Spitalit të Pejës janë suspenduar pas rastit të rëndë që ka ndodhur javën e kaluar, ku një foshnje që kishte lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse e mbështjellë me çarçafë.
Suspendimin e tyre e ka bërë të ditur vetë Spitali i Pejës përmes një njoftimi.
“Spitali të Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”, thuhet në njoftim.
Telegrafi nga burime mëson se në mesin e shtatë të suspenduarve janë 4 mami, pastruesi dhe dy lajtore.
Ndryshe Prokuroria Themelore e Pejës, ka konfirmuar se se sot Prokurorja e rastit ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës.
“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Menjëherë pas informatave në vendin e ngjarjes ka shkuar Prokurori i nga Departamenti i Krimeve të Rënda së bashku me Inspektoratin Shëndetësorë dhe policinë. Rasti është duke u hetuar dhe jemi në pritje të raportit nga Inspektorati Shëndetësorë lidhur me këtë ngjarje. Prokurorja e rastit sot ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës për të kuptuar më shumë rreth rastit”, ka thënë zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.
Spitali i Përgjithshëm i Pejës u bë kryefjalë e natës, mbrëmjen e 21 dhjetorit 202. Një raportim i portalit Indeksonline, ngriti në këmbë shumë figura, teksa dolën në pah edhe të bëmat e spitalit, që tentoi të fshehë rastin. Një foshnje e pajetë u vendos në lavatriçe bashkë me rroba të tjera, për t’u ndarë më pas në disa copëza, copëza këto që do të shihen nga babai.
Fillimisht, babai i foshnjes kishte nuhatur një parregullsi, në momentin që po i refuzohej lirimi i trupit të vdekur të foshnjes.
Këto dyshime u konfirmuan pak më vonë, kur i njëjti pa copëzat e trupit, për t’u tronditur totalisht, bashkë me familjen.
Përkundër kërkesave nga stafi i spitalit që kjo çështje të shuhet, prindërit kanë njoftuar policinë.
Por, çka parashihet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës për dëmtimin e kufomës?
Në bazë të nenit 421, pika 2, personi që ka dëmtuar kufomën dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
“Kushdo që pa autorizim heq, dëmton, shkatërron ose fsheh kufomën, një pjesë të saj ose hirin e të vdekurit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”, citohet pika 2 e nenit 421./Prishtinapress/