Një incident që ndodhi në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, në mes dy institucioneve të vendit, një zyrtari policor të Mbrojtjes së Afërt të Presidencës së Kosovës dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, përfundoi me denoncim, që pasoi me suspendimin e policit. Ky rast u mbajt larg syrit të mediave dhe siç duket Gërvalla dështoi në denoncimin e saj, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, masa e suspendimit ndaj zyrtarit policor, Driton Dauti, është ndërprerë, pasi Inspektorati Policor i Kosovës nuk ka gjetur elemente të veprës penale.
Kjo është konfirmuar edhe në një përgjigje nga IPK për Sinjalin, ku ndër të tjera thuhet se rasti do të hetohet brenda Policisë së Kosovës.
“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju njofton se lidhur me këtë rast ka pasur inicim të brendshëm nga vet Policia e Kosovës. IPK është njoftuar për këtë inicim të rastit dhe se rasti në mungesë të elementeve të veprës penale rasti do të trajtohet nga Drejtoria për Hetimet e Brendshme në Policinë e Kosovës.”
Rasti dyshohet se kishte ndodhur kur ish kryeministri Tony Blair erdhi për të shënuar 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe u prit në Aeroportin e Prishtinës nga Gërvalla dhe zyrtarë të lartë të Presidencës së Kosovës.
Teksa po pritej që Blair të mbërrinte në aeroport, Gërvalla kishte insistuar që të realizonte një fotografi me të, ku edhe plasi konflikti verbal mes palëve, në të cilin u përfshi edhe zyrtari policor Dauti.
Debati për një fotografi që doli të jetë një skandal në vete pasoi me denoncimin e Gërvallës ndaj policit në fjalë, i cili më pas u suspendua.