Site icon PrishtinaPress

Skandali financiar, Agjencia Kundër Korrupsionit nis verifikimin e pasurisë së ambasadorit Berishaj

Agjencia Kundër Korrupsionit do ta verifikojë pasurinë e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, emri i të cilit u përmend në një skandal financiar në Slloveni, për të cilin raportuan mediat në Lublanë.

Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj i tha Gazetës Express se agjencia ka inicuar procedurat për ta verifikuar pasurinë e Martin Berishajt.

“Sot i kemi inicuar procedurat per verifikimin e pasurisë”, tha ai.

Ambasadori i Kosovës në Zagreb dyshohet se e ka fshehur pronësinë e tij mbi tri kompani në deklarimin e pasurisë që e ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në formularin e pasurisë, ambasadori Berishaj nuk ka deklaruar se është pronar i “MB Consulting”, kompaninë së tij në Mal të Zi, me të cilën implikohet në skandalin financiar për transfere të dyshimta të parave te politikani slloven, Robert Golob.

Në deklarimin e pasurisë në AKK, ambasadori Berishaj u raportua se ka fshehur aksionet të cilat i posedon edhe në dy kompani të tjera në Kosovë: Myloja LLC dhe Zaslon Kosova.

Televizioni slloven, Planet TV raportoi për skandalin financiar ku u implikua Berishaj. Sipas televizionit, ambasadori kosovar kishte pranuar në llogarinë e kompanisë së tij “MB Consulting” 600 mijë euro nga dega në Beograd e kompanisë energjetike sllovene, “GEN-I”, e të cilat pretendohet se i ka tërhequr në ‘cash’ dhe më pas ia ka dhënë politikanit slloven, Robert Golob.

Këto pretendime i ka mohuar Berishaj, duke paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi. Presidenca i ka kërkuar raport dhe e ka ftuar për sqarime në Kosovë ambasadorin, pasi paraprakisht presidentja Vjosa Osmani ka thënë se i beson versionit që Berishaj e ka dhënë në Facebook.

Exit mobile version