Site icon PrishtinaPress

Skandal: Gjendet mi i ngordhur në produktet e “Apetit”, fillon inspektimi i fabrikës së mishit

Në produktet e mishit të kompanisë “Apetit Group”, saktësisht në suxhukun që prodhohet në fabrikat e mishit të kësaj kompanie, është gjetur një “mi i ngordhur”.

Rastin fillimisht e ka raportuar një qytetar në Policinë e Kosovës, i cili ka treguar se në paketimin e suxhukut nga “Apetit”, të blerë në një market ka gjetur një mi të ngordhur.

Policia më pas ka njoftuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, më datën 25 gusht.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë konstatuar se në produktin që kanë inspektuar, kanë konfirmuar se bëhet fjalë për paketim të kompanisë “Apetit”.

“Është vërejtur qartë se produkti është prodhuar nga subjektit operatori ekonomik Apetit. Në një pjesë të ndarë të produktit në pamje vizuale është konstatuar se është një mi i ngordhur. Ekipi inspektues menjëherë me prezencën e policisë ka nisur ndërmarrjen e veprimeve për gjurmim të rastit”, thuhet në përgjigjen e AUV, raporton Albanian Post.

Është e njëjta kompani që ka tenderë nga institucionet e Kosovës për të furnizuar me produkte të mishit Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të gjitha spitalet e Kosovës, të gjitha Qendrat e Shëndetit Mendor, Qendrën Studentore të Kosovës, burgjet e Kosovës dhe shumicën dërrmuese të komunave të Kosovës.

Gjithashtu “inspektorët në ekip të përbashkët me policinë kanë ushtruar kontroll të menjëhershme tek marketi”. 

“Ne ekspozim ne shitje është gjetur një sasi prej 25.14 kg suxhuk i përpunuar dhe paketuar nga subjekti Apetit me nr. lloti 216-1/254; dt. paketimi 09.08.2024 dhe skadence 23.09.2024”, ka njoftuar AUV.

E njëjta sasi, siç sqarojnë nga Agjencia e Ushqimit “menjëherë është larguar nga shitja”.

Exit mobile version