3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

S’ka zgjidhje për sigurimin shtesë kufitar

Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë që nuk bën pjesë në Këshillin e Byrove Evropiane – duke mbetur ende jashtë Sistemit të Kartonit të Gjelbër.

Autoritetet në Kosovë nuk duan të komentojnë nëse po ndërmarrin hapa, në mënyrë që vendi të bëhet pjesë e mekanizmit mbrojtës për viktimat e aksidenteve në trafikun ndërkufitar, të shkaktuara nga automjetet e huaja.

Si certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve, Kartoni i Gjelbër njihet nga autoritetet e 47 vendeve.

Ky lloj sigurimi mbulon dëmet personale ose materiale që mund të shkaktohen, në rast të aksidentit në territorin e një shteti ku vlen Kartoni i Gjelbër, dhe merret kur sigurohet automjeti.

Si i tillë, ai vlen në të gjitha shtetet që e kanë në përdorim.

Vitin e kaluar, autoritetet në Kosovë synuan përfshirjen në Sistemin e Kartonit të Gjelbër, përmes një shteti tjetër, por deri më tani asgjë nuk është finalizuar në këtë drejtim.

Statuti i Këshillit të Byrove Evropiane, përveç tjerash, thekson se, për të pranuar një shtet, ai duhet të jetë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Kosova nuk është pjesë e OKB-së.

Mospërfshirja e kushtueshme në Kartonin e Gjelbër

Derisa Kosova nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër, sigurimi i automjeteve, që lëshohet në Kosovë, nuk vlen për vendet tjera.

Automjetet me regjistrim të huaj, të cilat hyjnë në Kosovë, duhet të paguajnë sigurim shtesë, pavarësisht nëse kanë ose jo Kartonin e Gjelbër.

Një gjë e tillë më së shumti prek qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, e të cilët në numër të madh vijnë për pushime në vendlindje.

Blerim Vrajolli ka ardhur në vizitë në Kosovë nga Gjermania, në fund të korrikut.
Ai thotë se ka bërë pagesën për sigurim kufitar.

“Kam paguar 20 euro, nuk është shumë e madhe, por që nuk do të duhej të ishte kjo pagesë. Kam kaluar disa shtete dhe vetëm në Kosovë e kam paguar këtë sigurim shtesë”, shprehet Vrajolli.

Tarifa e sigurimit, e cila paguhet në kufi, ndryshon nga kategoria e mjeteve motorike, si dhe nga periudha e qëndrimit në Kosovë.

Personat që hyjnë në Kosovë me automjete me targa të huaja duhet të paguajnë 15 euro për një qëndrim prej 15 ditësh. Qëndrimi për një vit kap vlerën e 205 eurove.

Këto tarifa janë më të larta për autobusë dhe për kamionë me peshë mbi një ton.

Ndryshe nga tre vjetët e mëparshëm, Qeveria e Kosovës sivjet ende nuk ka bërë ndonjë marrëveshje me Byronë Kosovare të Sigurimeve, për lirimin e diasporës nga kjo pagesë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë duke punuar që të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme për mbulimin e këtij sigurimi.

“Ndonëse vullneti nga ana jonë ekziston, deri më tani nuk kemi ende një marrëveshje me Byronë e Sigurimeve”, ka treguar Kryeziu.

Gjatë dy vjetëve, 2020 dhe 2021, Qeveria kishte ndarë mjete nga buxheti i saj për të mbuluar sigurimin kufitar për diasporën. Ky mbulim i sigurimit kufitar i kishte kushtuar Qeverisë së Kosovës 8 milionë euro.

Ndërkaq, më 2022, të gjithë qytetarët nga diaspora, që kanë paguar sigurimin kufitar, janë rimbursuar nga Qeveria, pas plotësimit të një aplikimi elektronik.

Mazreku: Të ndryshohet marrëveshja për mbulimin e sigurimit

Drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kanë pasur kërkesë nga Qeveria për një marrëveshje të re për sigurim kufitar për diasporën, por se kjo marrëveshje nuk është finalizuar.“Për neve është më lehtë të vazhdohet pa marrëveshje, të bëhet pagesa e sigurimit kufitar. Por, nëse Qeveria e sheh të arsyeshme këtë marrëveshje, ne i kemi dërguar [Mistrisë së Financave, Punës dhe Transfereve] disa komente, që të ndryshohet ajo marrëveshje”, ka pohuar Mazreku.

Byroja Kosovare e Sigurimit është kompetente për organizimin dhe zbatimin e sistemit të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë.

Kur drejtuesi i mjetit motorik nuk kontrakton sigurimin kufitar, nuk i lejohet hyrja me këtë mjet motorik në territorin e Kosovës, pa e përmbushur këtë detyrim.

I dëmtuari, të cilit i është shkaktuar dëm nga përdorimi i një mjeti motorik me regjistrim të huaj, i pajisur me sigurim kufitar, ka të drejtën të parashtrojë kërkesë dëmshpërblimi tek Byroja Kosovare e Sigurimit.

Mazreku ka thënë se, duke i parë problemet teknike, praktike dhe logjistike, në pikat kufitare që janë bërë kur ka pasur marrëveshje, është kërkuar të ndryshohet projektmarrëveshja.

“Njëra nga kërkesat e Byrosë Kosovare të Sigurimit për këtë marrëveshje është që secili bashkatdhetar që hyn në Kosovë të regjistrohet në sistem, dhe të marrë pa pagesë sigurimin. Në këtë mënyrë, do ta kemi më të lehtë t’i inkasojmë mjetet nga qeveria”, është shprehur Mazreku.

Vlera vjetore e pagesave të sigurimit kufitar arrin deri në 10 milionë euro.

Lirim Krasniqi, nga organizata Germin, e cila merret kryesisht me çështje të diasporës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kosovare duhet t’i shtojnë përpjekjet për ta futur Kosovën në Kartonin e Gjelbër.

Sipas tij, këto marrëveshje janë të përkohshme, dhe pa ndonjë efekt për diasporën.

“Qeveria e ka paguar dy vjet [sigurimin], mirëpo kjo nuk është zgjidhje e qëndrueshme, sepse edhe e rëndon buxhetin e Qeverisë. Po ashtu, në bazë të analizave që janë bërë, rimbursimet në vitin 2022 janë shumë të ulëta, krahasuar me pagesat”, është shprehur Krasniqi.

Sipas disa vlerësimeve që ka bërë Germin, numri i qytetarëve nga diaspora, që ka vizituar Kosovën gjatë muajve të verës së sivjetme, është i ngjashëm me atë të vitit të periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.

Në vitin 2022, rritja e numrit të vizitorëve nga diaspora u shoqërua me një rritje të shpenzimeve të tyre në Kosovë, vlerë që arriti në rreth 1.9 miliard euro, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës.

Po atë vit, 3.6 miliardë euro u gjeneruan nga aktivitetet e diasporës në Kosovës, që përfshijnë remitencat dhe investimet./REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img