-1.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

“S’ka vota”, “s’është momenti i duhur”, Haradinaj i vetëm në synimin për rrëzimin e Kurtit

Në rrugën për ta rrëzuar kryeministrin Kurti nga pushteti, Ramush Haradinaj është i vetëm. Mocionin e mosbesimit atij nuk ia kanë përkrahur asnjëra nga partitë opozitare. Abdixhiku kishte thënë se mocioni realizohet kur ka vota, duke lënë të nënkuptohet se nuk ka vota të mjaftueshme. Ndërkaq, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu tha se kjo nuk është bërë në momentin e duhur. Të enjten Haradinaj, iu drejtua prapë atyre: Kolegë opozitarë ku e keni problemin?

Në fund të muajit maj, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas një mbledhje të jashtëzakonshme të partisë, tha se do të inciojë votë mosbesimi për Qeverinë Kurti. Këtë veprim, Haradinaj e ndërmori pas tensioneve në Veri dhe paralajmërimeve për vendosjen e sanksioneve.

“Jam shumë i shqetësuar për situatën në vend. Ajo sot është më e rënda që nga viti 1999.  E shoh përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj situate, Kryeministrin Albin Kurti.  Prandaj ai duhet të largohet menjëherë.  Çdo ditë e mbetjes së tij në krye të Qeverisë, është e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin… Është hera e parë në histori që miku më i madh i Kosovës, ai që luftoi për lirinë tonë dhe që i vuri themelet e shtetit të pavarur të Kosovës, Amerika, i vendos sanksione Kosovës. Dhe fajtor për këtë është një njeri, Albin Kurti”, kishte thënë ai.

Mirëpo, Haradinaj, nuk po gjen përkrahje në qëllimin e tij që ta heqë Kurtin nga karriga e të parit të ekzekutivit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kur është pyetur nga gazetarët, ka thënë se “mocioni është veprim politik që realizohet kur ka gjasë, kur ka vota”, duke lënë të nënkuptohet që nuk ka vota për rrëzimin e Kurtit.

“Mocioni është veprim politik, që realizohet kur ka gjasë, kur ka vota, ju e dini numrin e opozitës në kuvend, nuk jemi të interesuar për deklarime politike, për beteja politike, jemi shqetësuar për gjendjen në Veri, jemi të shqetësuar për rrugën që duhet ta kemi përpara bashkë me aleatë. Për këtë gjendje kemi preokupim, për çështje tjera janë të rendit të dytë”, kishte thënë ai më 6 qershor.

Për mocionin e mosbesimit, janë deklaruar edhe nga partia tjetër opozitare, PDK. Zëdhënësi i këtij subjekti, Faton Abdullahu, ka thënë se kërkesa e AAK-së për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti nuk është bërë në momentin e duhur.

“Kemi edhe vlerësimin tonë që thjeshtë do të duhej që të mendohej më mirë kjo të shohim se mund te bësh diçka konkrete, e jo që faktikisht kështu si u bë është veç tërheqje e vëmendjes. Këtë e ka thënë edhe kryetari jonë, zoti Krasniqi. Nuk është në momentin e duhur dhe nuk shihet se ku është rezultati është më shumë tërheqje e vëmendjes nga krejt këto probleme në vend se për atë të flitet në forma të ndryshme dhe të bëhet diçka sesa të shkojmë  të merremi me një çështje e cila në fund e dimë që nuk do të sjellë rezultate”, tha Avdullahu.

Madje sipas zëdhënësit të PDK-së, nuk ia vlen t’i bashkohet thirrjes së partisë tjetër opozitare.

Që të dy partive, sot i është drejtuar sërish nismëtari i mocionit. Në Kuvend, Haradinaj pyeti opozitën se pse po hezitojnë për ta përkrahur mocionin.

“Pse ju lutem ka hezitime për mocion? Ku është problemi le të më tregojnë ata që po hezitojnë? Ku e keni problemin të gjithë ju që hezitoni për mocion? A është e vërtetë që kemi humbur besimin e  institucioneve euroatlantike, a është e vërtetë që kanë filluar ndëshkimet dhe a është e vërtetë që jemi duke u dobësuar? Pse nuk po keni guxim secili me dalë më thënë, po e votoj mocionin. Çfarë është duke ndodhur te opozita ju lutem, ku e keni problemin kolegë opozitarë, PDK dhe LDK? Pse po mendoni ende se kush përfiton nga mocion? Vetëm një përfitues është, Kosova dhe interesi ynë”, ka thënë Haradinaj.

Për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë nevojiten votat e 40 deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për të kaluar një mocion i tillë janë të domosdoshme së paku 61 vota të deputetëve, nga numri i përgjithshëm prej 120 deputetësh sa ka Kuvendi i Kosovës.

Aktualisht, Vetëvendosje ka 57 deputetë. PDK, LDK dhe AAK, së bashku kanë 42 deputetë, numër i mjaftueshëm për ta iniciuar mocionin.

Grupi Parlamentar multietnik ka tetë deputetë, ndërkaq 13 të tjerë janë pa grup parlamentar, ku bëjnë edhe nëntë deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img