Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha në një konferencë për media bëri të ditur se deri tani nuk është shënuar asnjë rast i Lisë së Majmunëve në Kosovë.
Gexha në një konferencë për media së bashku me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik tha se deri tani në bazë të të dhënave epidemiologjike rreziku për popullatën është i ultë, megjithatë tha MSH me strukturat e veta po e monitoron situatën.
“Duke qenë se rastet e para janë konfirmuar në rajon, rreziku që të shfaqet edhe në Kosovë është real. Andaj për çdo ndryshim në lëkurë e simptoma tjera si ethe, dhimbje muskujsh e lodhje luteni t’i drejtoheni mjekut familjar”, tha ajo.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë tha se lajm i mirë është që Lia e majmunëve nga të dhënat e deritanishme nuk përhapet shpejt si COVID-19, megjithatë theksoi se duhet të jenë vigjilent.
Ajo bëri të ditur se në IKSHPK kanë filluar përgatitjet për porositjen e testeve diagnostikuese për këtë sëmundje.
Ndryshe, zëvendësministrja e Shëndetësisë më tej u bëri thirrje qytetarëve që të marrin vaksinën antiCOVID-19.