Gazetari Augustin Palokaj, ka deklaruar se ndër masat që po shqyrtohen nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Kosovës lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit, nuk është suspendimit liberalizimi i vizave.
Palokaj ka thënë se duhet të ketë arsye të cilat lidhen me sigurinë dhe migrimin për të ndodhur suspendimi dhe jo arsye politike, raporton KTV.
“Ekziston procedura për suspendimin e liberalizimit të vizave, vendimi ka hyrë në fuqi, është votuar në fletën zyrtare të Bashkimit Evropian, por do të nisë zbatimi me 1 janar të vitit që vjen, e tash për të kthyer prapa situatën, apo për ta pezulluar liberalizimin e vizave, do të duhej procedura me propozim të Komisionit apo të disa shteteve anëtare të kalojë në Këshill, të miratohet dhe të ndryshohet përsëri rregullorja, kjo mundësi ekziston por duhet të ketë arsye të forta e arsyet kryesisht duhet të jenë të lidhura me sigurinë dhe migrimin dhe jo me arsye politike. Nëse do të ndodhë vazhdimi i tensioneve atëherë pos që do të jetë një zhgënjim politik, mund të paraqesë edhe rrezik për sigurinë dhe ky mund të merret në të ardhmen si një argument, por për momentin është thënë se ndër masat që po shqyrtohen nuk është opsioni i suspendimit të liberalizimit të vizave”, ka thënë ai.
Sipas Palokajt, nuk do të ketë takime të reja midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, derisa Kosova të mos i shpallë zgjedhjet në katër komunat në veri.
“Është një situatë ku nuk do të pajtohet bashkësia ndërkombëtare me gjysmë hapa, por në ato kërkesa i kanë bërë presin hapa konkret, pra të lëshimit një modalitet qoftë përmes dorëheqjes së kryetarëve të komunave apo ndonjë mënyrë tjetër ligjore për t’i shpallur zgjedhjet, vetëm atëherë mund të ketë vazhdim. Tash thonë se ndonëse zbatimi i marrëveshjes, dialogu janë të rëndësishëm, prioritet është ulja e tensioneve në veri. Bashkimi Evropian është kthyer aty ku ka qenë para marrëveshjes, në situatën ku është duke menaxhuar krizat dhe jo duke punuar në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur ai.
Ai ka shtuar se Bashkimi Evropian e ka përdorur Uashingtonin në dialog për të bërë presion ndaj Kosovës.
“Bashkimi Evropian për mendimin tim e ka përdorur Uashingtonin për të bërë presion ndaj Kosovës, sesa që BE-ja ka dëshirë që Shtetet e Bashkuara të jenë të kyçura në dialog, sepse ka pasur raste kur këmbëngulnin në selinë e BE-së që SHBA-ja nuk mund të ketë rol në dialog”, ka thënë ai.