2.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

S’ka sinjale se Demarkacioni procedohet javën e ardhshme në Kuvend

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë sinjale që marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të procedohet në Kuvendin e Kosovës gjatë javës që vjen, ashtu siç ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Nëpërmjet një komunikate për medie të Kuvendit të Kosovës, ditën e premte, pas një bisede telefonike që Veseli ka pasur me zëvendësndihmëssekretarin e SHBA-së, Hoyt Brian Yee, ka thënë se janë pajtuar që demarkacioni i kufirit me Malin e Zi të procedohet nga Qeveria për miratim në Kuvend javën tjetër.

Por, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deri në ditën e enjte të javës së ardhshme do të jetë në Bruksel. Sipas tij, kryeministri Mustafa, do të përpiqet t’i bindë zyrtarët e Brukselit që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave.

Kërkesa e kryeministrit Mustafa, sipas Abdullahut, do të jetë që Bashkimi Evropian ta suspendojë me kusht, për dy vjet, kriterin e ratifikimit të demarkacionit, dhe nëse Kosova brenda këtij afati nuk e përmbush këtë kriter, asaj t’i merret sërish liberalizimi dhe t’i kthehet regjimi i vizave. Abdullahu thotë se vetëm pas kthimit të kryeministrit nga Brukseli, mund të sqarohet se a do të procedohet Marrëveshja për demarkacionin me malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.

“Janë çështje procedurale, ligjore, të përcaktuara qartë. Duhet që ne si Qeveri, kryeministri Mustafa, si udhëheqës i Qeverisë, ta riprocedojë tutje, ta vazhdojë procedurën e dërgimit të projektligjit nga Qeveria në Kuvendin e Kosovës dhe vetëm atëherë Kuvendi mund ta marrë në shqyrtim çështjen në fjalë”.

“Pra, duhet të presim që të kthehet dhe të shohim se si ka kaluar kryeministri Mustafa në Bruksel lidhur me çështjen në fjalë, do të thotë, për sa i përket çështjes tjetër, pra, të kësaj që po mundohet ta shtyjë tutje, që të kemi hapësirë më të madhe për ta proceduar në të ardhmen çështjen e demarkacionit”, thotë Abdullahu për Radion Evropa e Lirë.

Por, deputetët e Kuvendit të Kosovës, që përfaqësojnë partitë në pushtet dhe në opozitë, i vlerësojnë si mjaft kundërthënëse deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës dhe të atyre të Kuvendit të Kosovës lidhur me procedimin e mundshëm të Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në legjislativ.

Nait Hasani, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e lirë, se deklaratat e tilla janë rezultat i presioneve që kanë Qeveria dhe Kuvendi lidhur me çështjen e demarkacionit.

“Nuk ka një harmonizim dhe jepen vetëm deklarata. Kështu që edhe kryeministri ka dhënë deklarata se do ta procedojë dhe tani është tërhequr, edhe kryeparlamentari dhe të tjerët, edhe presidenti. Do të thotë, nuk ka një harmonizim rreth kësaj. Prandaj, një ofertë që do të ofrohet, që të jepet një afat kohor për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit dhe në anën tjetër, të vihet një ofertë tjetër për afat të liberalizimit për një dyvjeçar, është një ofertë mjaft interesante, mjaft e mirë, që çështja të zgjidhet”, shprehet Hasani.

Pal Lekaj, shef i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se deklaratat kundërthënëse të Qeverisë dhe Kuvendit lidhur me procedimin e mundshëm të Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi në Kuvend, janë shenjë se po shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Sido që të jetë, edhe nëse procedohet për ratifikim marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, mendoj se do të jetë dështim i radhës dhe në këtë drejtim, vendi përsëri do të shkojë në zgjedhje. Këto deklarata kundërthënëse njëra me tjetrën, janë për të prishur koalicionin dhe ne mund të themi se tashmë nuk funksionon koalicioni qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, si dhe që vendi do të shkojë shumë shpejt në zgjedhje të parakohshme”, thotë Lekaj.

Sidoqoftë, këta deputetë të Kuvendit të Kosovës thonë se, marrë parasysh gjenden aktuale politike, që ndërlidhet me çështje e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, është vështirë të kërkohet nga deputetët, të cilët e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje, që të votohet ajo.

Zyrtarët e partive politike në pushtet edhe më herët kanë deklaruar se ende nuk është siguruar numri i mjaftueshëm i votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për ta kaluar marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img