7.1 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Sivjet pritet zvogëlimi i numrit të ministrive, Tahiri thotë se askush nuk do të mbetet pa punë!

Në fund të muajit mars pritet që Qeveria e Kosovës të bëhet me ligj. Si rezultat i këtij ligji do të bëhet edhe zvogëlimi i numrit të ministrive.

Kjo gjë u bë pas përfundimit të takimit të Komisionit për Hartimin e projektligjit për Qeverinë.

 

 

I kontaktuar nga Indeksonline, kryesuesi i Komisionit për Hartimin e projektligjit për Qeverinë, Besnik Tahiri ka thënë se qëllimi i këtij Projektligji është krijimi i një sistemi të mirëfilltë ligjor në mënyrë që çështjet të cilat rregullohen me këtë Projektligj të vihen në suaza të kornizës ligjore adekuate, ndër të cilat edhe çështja e kufizimit respektivisht zvogëlimit të dikastereve ministrore, pra të caktohet një limit të numrit të ministrive dhe zëvendësministrave.

“Në versionin e fundit të Projektligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës, janë bërë disa ndryshime në Projektligj, për sa i përket përfundimit të mandatit të anëtarëve të Qeverisë, kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë, kompetencave të Qeverisë në dorëheqje, kontestit në mes të anëtarëve të Qeverisë dhe zëvendësministrave, angazhimit të eksperteve të lëmisë specifike, kompensimi pas mbarimit të mandatit etj”, ka shtuar Tahiri.

Por në rast se numri i ministrive në Qeverinë e Kosovës zvogëlohet, ekziston mundësia që shumë prej të punësuarve të mbeten pa punë.

I pyetur nga Indeksonline se çfarë do të ndodhë me gjithë ata të punësuar në ministri të ndryshme të cilat ekziston mundësia të mos jenë më, Tahiri tha se askush nuk do të mbetet pa punë.

“Nuk jemi ende në atë fazë të debatit e as të diskutimit, por askush nuk do të mbete pa punë”, ka thënë shkurt Tahiri.
Përpos kësaj thuhet se Projektligji për Qeverinë nuk krijon shpenzime shtesë për buxhetin e vendit por që synon që të ulë shpenzimet aktuale.
“Detajet e kostos financiare, do të përcaktohen në Formularin për Vlerësimin e Ndikimit Financiar. Si konkludim, Ligji për Qeverinë do të jetë konsistent dhe në harmoni me paketën e tre ligjeve në reformën e administratës publike, duke përfshirë Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura dhe Ligjin për Paga”, ka thënë Besnik Tahiri.

Ndryshe Qeveria e Kosovës ka 21 ministri dhe mbi 70 zv/ministra, për të cilët vazhdon të ketë diskutim të vazhdueshëm.

Përbërja e qeverisë është mjaft e madhe, duke u renditur kështu si më të mëdhatë në Evropë.

Përpos kësaj, Projektligji për Qeverinë parashihet të ketë nëntë kapituj të cilët në përmbajtjen vet përfshijnë:

• Kapitulli mbi dispozitat e përgjithshme, ku sqarohet fushëveprimi i Ligjit si dhe parimet udhëheqëse të Qeverisë, si pushtet ekzekutiv, që udhëhiqet nga parimi i respektimit të ligjit, përgjegjshmëria, transparenca, si dhe nga parimi i efikasitetit dhe efektshmërisë.
• Kapitulli II, përfshin përbërjen, mandatin e anëtarëve të Qeverisë, fillimin e mandatit të anëtarëve të Qeverisë, përfundimin e mandatit të Qeverisë, përfundimin e mandatit të anëtarëve të Qeverisë, si dhe Qeverinë në dorëheqje.
• Kapitulli III, përfshin statusin e anëtarëve të Qeverisë, ku përcaktohet papajtueshmëria e anëtarëve të Qeverisë, Kodi i sjelljes së anëtarëve të Qeverisë, imuniteti i anëtarëve të Qeverisë.
• Kapitulli IV, përfshin kompetencat dhe funksionimin e Qeverisë.
• Kapitulli V, përfshin përgjegjësit e Kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave.
• Kapitulli VI, përfshin metodat e punës së Qeverisë, punën e mbledhjeve të Qeverisë, trupat punuese qeveritare, natyrën publike të punës së Qeverisë dhe pagat e anëtarëve të Qeverisë, kompensimi pas mbarimit të mandatit.
• Kapitulli VII, përfshin bashkëpunimin e Qeverisë me organe të tjera të Republikës së Kosovës, me Kuvendin dhe me Presidentin, për çështjet në kompetencë të saj.
• Kapitulli VIII, përfshin shërbimet me të cilat do të përkrahet gjatë punës Qeveria ku si shërbime cakton Zyrën e Kryeministrit, kabinetet e anëtarëve të Qeverisë, të cilët përbëhen nga këshilltarë politikë, si dhe përkrahja e Qeverisë nga Shërbimi Civil.
• Kapitulli IX, përfshin dispozitat përfundimtare dhe kalimtare, në të cilat parashihet nxjerrja e akteve nënligjore, shfuqizimi i akteve ligjore, si dhe data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img