Site icon PrishtinaPress

Sivjet ‘DokuFest’ shfaq 238 filma, fokusohet tek korrupsioni

Të zgjedhur nga një numër rekord i aplikimeve, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest, do të prezantojë 238 filma nga 57 vende në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale.
Kjo u bë e ditur të hënën në konferencën vjetore të festivalit që mbahet në kryeqytet.
Drejtoresha e re e festivalit, Nita Deda e cila tregon festivalin për të cilin fillon me 5 gusht dhe përfundon më 13 gusht thotë se DokuFesti do ta shndërrojë Kosovën në një pikë të rëndësishme kulturore.
“Është një program që me plotë vetëbesim mund të them që për nëntë ditë do ta shndërrojë Kosovën dhe Prizrenin në një pikë të rëndësishme kulturore në bazë të mysafirëve të shumtë, mediave dhe përmes një programi të shfaqjes së 238 filmave, që janë kuruar me shumë kujdes”, tha Deda.
Kategoritë garuese të festivalit janë në qendër të programit dhe përzgjedhja e këtij viti përfshinë një numër të jashtëzakonshëm të filmave dokumentar, të filmave të shkurtë dhe eksperimental, shkruan zeri.info
Festivalit i paraprinë ekspozita tradicionale e festivalit, DokuPhoto, e cila hapet më 4 gusht, një ditë para fillimit zyrtar të DokuFest-it e cila do të qëndrojë e hapur deri në fund të festivalit dhe do të shfaqë fotografi nga botimi i tij “The Holloë of the Hand”.
Murphy dhe PJ Havery vizituan DokuFest-in për herë të parë në edicionin e 10-të ku morën pjesë edhe në një panel diskutimi për 12 filmat që Murphy kishte drejtuar për albumin e Harvey-it, Let England Shake.

Korrupsioni është tema qendrore e edicionit të këtij viti, konteksti social lokal dhe global si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri të ngjarjeve, përfshirë panele, diskutime me filmëbërës dhe ekspertë të ftuar ndërkombëtar dhe lokal, punëtori dhe konferencë të teknologjisë.

Duke vazhduar bashkëpunimin e tij me DokuFest, regjisori Daniel Mulloy ka krijuar edhe një kampanjë vizuele goditëse që përputhet me temën e këtij viti, shkruan zeri.info
View From The World, programi jo-garues i festivalit prap do të sjellë disa nga filmat më të rëndësishëm të këtij viti në Prizren, përfshirë fituesit e Sundance, Berlinale dhe SXSË ndërkohë eksplorimi i vazhdueshëm i Pamela Cohn i dokumentarëve për muzikë në Substancat Magjike: Muzika në Film premton një shikim emocionues dhe eksperiencë të dëgjimit kujtdo që i dorëzohet.
Festivali do t’iu bëjë homazh mjeshtrit të madh të kinemasë iraniane dhe të botës Abbas Kiarostami, i cili vdiq më 22 korrik të këtij viti, me shfaqjen e filmit të tij ikonik “Taste of Cherry” dhe Chantal Akerman, një tjetër mjeshtër të kinemasë e cila dhimbshëm vdiq vjet, me shfaqjen e filmit të fundit “No Home Movie” si dhe shfaqjen e versionit të restauruar të kryeveprës Jeanne Dielman, “23 Commerce Quay, 1080 Brussels”. Një intervistë me Akerman, e xhiruar disa muaj para vdekjes së saj nga artisti nga Bosnja Ibro Hasanovic dhe me rastin e vizitës së Akerman në Kosovë, po ashtu do të shfaqet.
Drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, tha se konsideron se program i këtij viti është programi më i madh dhe më kualitativ.
“Do të këtë shumë filma prej fituesve të festivaleve më të rëndësishme të botës, sikur Berlinale. Do të kemi filmin fitues ‘Fire at sea’ dhe filmat fitues të SandFest dhe disa prej festivaleve më të rëndësishme të filmit dokumentar në botë. Presim një numër të madh të mysafirëve, përfshirë drejtor festivalesh, kurator të muzeve të mëdhenj, një numër gati rekord të filmbërsve, producentve, njerëzve të filmit që do të vijnë në Prizren”, tregoi Nurkollari.
Kuratori i programit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda, tha se program i filmave të shkurtër sivjet përbëhet prej 31 filmave kurse filmat kombëtar do të shfaqen në datat 8, 9 dhe 10 në Kinemanë “Evropa”.
“Kjo përzgjedhje është bë prej afër 2500 filmash që kanë aplikuar. Ekipi jonë ka punuar për një periudhë afër gjashtë muaj për ta finalizuar. Sa i përket filmave kombëtar mund të them se sivjet do të kemi dhjetë premiera në DokuFest. Ku ka qenë edhe qëllimi jonë pasi që është një mundësi e mirë sepse vijnë rreth tridhjetë përfaqësues festivalesh nga Shtetet e Bashkuara edhe Evropa”, tregoi Karahoda.
Në anën tjetër, Eroll Bilibani, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i organizatës, foli për mungesën e përkrahjes institucionale më të cilën sipas atij po ballafaqohet ky festival.
“Ne po ndihemi shumë të zhgënjyer sepse të gjithë krenohen me DokuFest-in por kur vjen puna për mbështetje reale, ajo nuk ekziston. Mbështetja reale DokuFest-it i nevojitet në fillim të vitit kur ne bëjmë planifikimin tone shumë më mirë. Deri më sot ne ende nuk i kemi pranuar fondet e premtuara nga Ministria e Kulturës dhe tani vlera e atyre fondeve e kap diku 20% total të atyre parave që na janë premtuar. E njëjta gjë ndodhë edhe me Komunën e Prizrenit, ne kemi bërë kërkesa për hapësira të ndryshme që do të na ndihmonin për zyrën e mikpritjes dhe atë të mediave, por në fund na u tha që kryetari i Komunës së Prizrenit ka vendosur të mos na jap dhe ne kemi kuptuar që ajo hapësirë tanimë veç është duke u keqpërdorur”, tha Bilibani.
Në kuadër të DokuFestit gjithashtu do të mbahet edhe konferenca e teknologjisë, DokuFest, programi për fëmijë DokuKids dhe programi muzikor, DokuNights. Risi e programit muzikor sivjet është edhe një skenë e re, “Sunset stage”, e vendosur në Kalanë e Prizrenit.
Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës ky festival  do të prezantojë disa produkte dhe brende vendore që do të shitën në disa shtëpiza. Komuna e Prishtinës gjithashtu ka përkrahur këtë festival duke mbuluar shpenzimet e koncertit të grupit “Super 700”.
Rikujtojmë se vitin e kaluar DokuFest trajtoi temën e migrimit si dukuri globale.

Exit mobile version