Para pak çastesh ka përfunduar pjesa e parë në ndeshjes mes Sivassporit dhe Ballkanit, e vlefshme për raundin e tretë të Grupit G në Ligën e Konferencës.
45 minutat e parë në stadiumin “Yeni 4 Eylul” janë mbyllur me rezultatin 1:2 në të mirë të kampionëve kosovarë.
Vendasit kaluan në epërsi, duke shënuar që në minutën e parë të ndeshjes.
Fredrik Ulvestad ishte autor i golit për Sivassporin.
Megjithatë, skuadra nga Suhareka përmbysi gjithçka në vazhdim për të shkuar në pushim me epërsi prej një goli.
Kapiteni, Armend Thaqi, shënoi nga distanca në minutën e 20-të për të barazuar fillimisht rezultatin.
Pas tij, ishte radha për mbrojtësin e krahut të majtë, Arbër Potokun, i cili shënoi në minutën e 31-të.
Ballkani shfaqi lojë më të mirë në pjesën e parë dhe kjo tregohet më së miri nga statistikat.
Skuadra e udhëhequr nga Ilir Daja kishte posedim më të madh të topit, por regjistroi edhe më shumë goditje në portën kundërshtare.
