Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dështuar të zhvillojë auditimin në katër komunat e veriore të Kosovës.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca gjatë prezantimit të çështjeve kryesore të paraqitura në raportet e auditimit për vitin 2022, ka thënë se për shkak të situatës së krijuara në veri, ZKA nuk ka arrit të bëjë auditimin në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Situata në veri ishte tensionuar pasi zyrtarët serbë në atë pjesë të Kosovës më 7 nëntor kishin vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e automjeteve që kishin targa serbe.
Në konferencën për media, Auditorja e përgjithshme, Spanca ka theksuar se nga 97 opinione të dhëna, 39 janë të modifikuara që do të thotë se janë opinione jo të mira.
“Në kuadër të auditimeve mandatore me ligj nga auditimet e rregullsisë nga 101 entitete publike janë mbuluar 97 prej tyre. Ju njoftoj se për katër komunat veriore, komunën e Mitrovicës së veriut, Leposaviqit, Zubin Potok dhe Zveçan, ne edhe pse kemi iniciuar auditimin, për shkak të rrethanave të krijuara nuk kemi mundur të zhvillojmë auditimin”, theksoi Spanca.
Auditorja e Përgjithshme ka theksuar po ashtu se krahasuar me një vit më parë rezulton se cilësia e raportimit financiar është përmirësuar dhe ka zvogëlim të numrit të opinioneve të modifikuara.