Site icon PrishtinaPress

Siria, Turqia, Mossadi dhe Kosova – mospajtime mes historianit Shala dhe ish-oficerit Ramiqi

Historiani Azdren Shala ka thënë se rasti i arrestimit të Liridon Rexhepit në Turqi, si i dyshuar për bashkëpunim me Mossadin, nuk e dëmton aspak Kosovën.

Ai tha se ky rast është një individ që e ka një punë të caktuar.

Në Rubikon të Klan Kosova, Shala tha se është lehtë është të peshkosh agjentë në Ballkan, “e sidomos në trevat tona ku ka diversitet kulturor, e nganjëherë këto kultura përplasen”.

Megjithatë, shqetësim për të janë rekrutimet që janë bërë për luftën në Siri.

“Përveç këtij rasti, kemi pasur rastet e atyre që janë futur në Siri, dhe kjo është bërë edhe më haptas, nuk ka pasur nevojë të ketë agjentë sekretë, kemi pasur agjentë të hapur. Kemi pasur imamë radikalë të cilët haptas në Xhaminë e Madhe, luftën e Sirisë e kanë interpretuar si konflikt fetar, e jo konflikt politik. Ata persona kanë rekrutuar njerëz, apo xhami të caktuara në Prishtinë, dhe i kanë çuar në luftë të huaj që s’ka lidhje me ne”.

“Këtu është problemi: kur agjentë krijojnë situata politike e shoqërore që dëmtojnë imazhin e shtetit. Ky rasti i Mossadit asnjë problem nuk e ka”, deklaroi Shala.

Historiani Azdren Shala tha se Kosova e ka Turqinë mike, por shtoi se e sheh me shumë dyshime dhe rezerva influencën turke.

“Sepse Turqia, të paktën prej se ka dalë libri i ish-ministrit të Jashtëm, Ahmet Davutoglu, ‘Thellësia Strategjike’, ai e ka të qartë, ku thotë, ‘Ne pretendojmë të kthehemi lehtë në ish-territorin e Perandorisë Osmane’”, u shpreh ai, teksa përmendi investimin e Turqisë në xhamia në Kosovë.

Shala tha se disa xhami kanë famë të keqe, ku janë burgosur njerëz dhe kanë marrë dënime.

Ndërkaq Fuad Ramiqi, ish-oficer karriere dhe ish-politikan, pyeti Shalën se cilët imamë janë dënuar për rekrutim, duke mohuar se ka pasur raste të tilla.

E shala i tha se “Shefqet Krasniqi ka folur në Xhaminë e Madhe dhe është arrestuar, ka thënë se kjo është lufta e Shamit”.

Exit mobile version