4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Sipërmarrësja që u beson vajzave timonin e ndryshimit

Në Shqipëri gratë dhe vajzat po depërtojnë edhe në industrinë e prodhimit të automjeteve. Arjeta Puca themeluese e kompanisë “Timak”, që bazohet në punën e vajzave, në pak vite ja ka dalë të prodhojë disa qindra të tilla, së fundi dhe prototipin e makinës së parë të blinduar ushtarake, e cila do të ekspozohet në panairin Eurosatory në Paris. Nën moton “gratë në timonin e ndryshimit” zonja Puca po ndërton të ardhmen e saj në Shqipëri, pas kthimit nga emigracioni.

https://www.zeriamerikes.com/embed/player/0/7657904.html?type=video

“Pas 25 viteve, të ngarkuara me mall për Shqipërinë, më në fund e vendosa të kthehem. Në familje vazhdimisht dëgjoja të thuhej “do kthehemi në Shqipëri”. Nuk dija asgjë, thjesht kisha mallin për vendin tim”- nis rrëfimin për Zërin e Amerikës, Arjeta Puca, themeluese e Kompanisë “Timak”.

Arjeta është vajza nga Dibra që pas vitesh 25 vitesh vendosi të rikthehet në Shqipëri, prej nga ishte larguar me prindërit në fillim të viteve 90 në moshën 4 vjeçare, në Ankara të Turqisë. E arsimuar në degën e inxhinierisë kompjuterike, me një përvojë pune në Japoni dhe Gjermani, ajo vendosi të sjellë me vete gjithçka kish fituar krah prindërve të saj. Ata zotërojnë një kompani për prodhimin e makinerive borëpastruese si dhe të atyre për panelet diellore prej gati 20 vitesh në Ankara. Fillimi pas rikthimit 9 vjet më parë ishte i vështirë.

“ Fillimi ishte i vështirë, nuk dija mirë gjuhën, nuk kisha shoqëri, e ndjeja veten të izoluar. Përpiqesha të krijoja rrjetin e duhur të komunikimit, të mësoja sa më shumë. Ka qenë më shumë mësim dhe krijim i njohjeve të reja. Kam mësuar jashtë mase shumë. Puna ime

e parë, ka qenë shitja e automjeteve borëpastruese. Nuk ka patur shumë kërkesë dhe bëja çdo punë tjetër”- tregon Arjeta.

Por ajo nuk dorëzohet, dhe krijon Kompaninë “Timak” si një nismë për shtimin e produkteve “Made in Albania”. Gjatë fillimeve të punës që bazohej në tregëtimin e automjeteve të ndryshme, Arjeta tregon se e tërhoqi autoambulanca dhe ja doli ta prodhojë atë për herë të parë në Shqipëri.

“ 2 deri në 3 vite nuk kishte punë, thjesht bëja aplikime. Në kohën e Covid 19-ës ishte kaos. Më pas filluam prodhimin e autoambulancave. Në bashkëpunonim me një kompani në fillim për prodhimin e tyre. Ajo na e la punën në mes dhe e përfunduam vetë. Pas kësaj filluan të vijnë kërkesa të tjera. Patëm dhe kërkesa për prodhimin e makinave zjarrfikëse, të makinave të policisë apo klinikave mjekësore të lëvizshme. Për të gjitha në thamë po. I studiuam dhe i bëmë. Për Ukrainën në morëm një kërkesë nga OKB-ja për të prodhuar autoambulanca. Ja dolëm të prodhojmë 11 të tilla për dy javë. Kemi punuar natë-ditë” -shprehet ajo.

Kjo ishte një pikënisje e fortë dhe sot kompania e themeluar prej saj e cila ka në qendër punën e vajzave, prodhon disa lloj automjetesh dhe i tregton ato në më shumë se 20 shtete.

Së fundi Arjeta synon të prekë një tjetër një përmasë.

“Shota” quhet, prototipi i makinës së parë të blinduar ushtarake të prodhuar në Shqipëri nga kompania Timak, e themeluar prej saj 8 vjet më parë. Ka zgjedhur emrin e luftëtares shqiptare “Shota”, që luftoi për mbrojtjen e trojeve shqiptare, në fillim të shekullit të kaluar.

“ Ishte shumë e mundimshme. E kemi projektuar për dy muaj. Kemi patur mbështetjen e dizenjuesit shqiptar Gregor Andoni. Bashkë me inxhinierët dhe vajzat e stafit kemi punuar me shumë emocione, sepse është makina e parë ushtarake shqiptare.Ne emrin e kishim lënë surprizë. Të gjithë ishin të emocionuar për emrin kur e

panë. Kemi punuar me të vërtetë me shumë dashuri”- tregon Arjeta Puca.

Makinë ushtarake vepër e mendjes dhe pasionit të një vajze si Arjeta Puca, do të ekspozohet në panairin e mbrojtjes dhe të sigurisë “Eurosatory” Paris, që do të qëndrojë hapur nga data 17 deri më 21 qershor, dhe ku pritet të marrin pjesë rreth 60 vende. Shqipëria përfaqësohet me Shotën e saj të Kompanisë Timak, nën logon “Gratë në timonin e ndryshimit.”

Zëri e Amerikës ndoqi momentet e fundit para se ky mjet të niste këtë rrugëtim.

“Ne kemi parë që mjetet ushtarake nuk prodhohen në Shqipëri, dhe kemi patur kërkesa, për këto mjete ngaqë arritëm të bëjmë autoambulancën e blinduar. Pamë që në Shqipëri nuk ka prodhues dhe e morëm këtë iniciativë dhe të jemi pionerë në këtë drejtim”-pohon Arjeta Puca.

Arjeta është e rrethuar nga 15 vajza. Ka zgjedhur të punojë me to, të ofrojë dhe të marrë prej tyre më të mirën. Ato janë duke i dhënë dorën e fundit projektit për Shotën.

“Nuk është projekti i parë kaq sfidues. Na pëlqejnë sfidat dhe gjithmonë i marrim përsipër. Nuk i themi jo asnjë oferte dhe projekti të ri”- thotë ajo.

Por i gjithë ky pasion i Arjetës ka një bazë të fortë trashëgimie që është babai i saj Shpëtim Puca. Ka dashur që Arjeta si fëmija i dytë pas një vajze të jetë djalë, – “por sot jam krenar për të”- tregon ai për Zërin e Amerikës.

“Gjithmonë kur kishte Arjeta ndonjë problem gjatë punës i thosha, çfarë të bëj unë që nuk kam baba se ti e ke babain, mos u shqetëso. Për çdo gjë e kam ndihmuar”- shprehet Shpëtim Puca, babai i Arjetës.

“Arsyeja që unë jam këtu është babai. Më ka marrë me vete në punën e tij që 9 vjeç. Jam mësuar të shoh hekura apo vajin hidraulik. Është me të vërtetë arsyeja kryesore që unë merrem me këto gjëra. Gjithmonë më ka mbështetur dhe asnjëherë nuk më ka thënë, ti nuk e bën dot këtë apo atë punë. Që fëmijë më ka dhënë çekiçin apo mjete të tjera në dorë”- tregon Arjeta.

Dhe teksa ndjek çdo detaj në momentet e fundit para se kjo makinë ushtarake për mbrojte të dalë nga shtëpia e prodhimit, ajo rrëfen synimin e saj për familjen.

“Qëllimi final është që ne të gjithë si familje të realizojmë ëndrrën tonë, për t’u kthyer në Shqipëri”- thotë ajo.

Qindra automjete kanë në thelb përkushtimin dhe punën, e 15 vajzave të kompanisë “Timak” me në krye Arjetën, së fundi edhe Shota e cila po nis rrugëtimin drejt Parisit. Tashmë ajo është për to një ëndërr e realizuar./VOA

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img