Presidenti mund të vendosë të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e Ligjit, por vetëm pas votimit të tij të parë. Sipas nenit 75 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, në kthimin e parë të Ligjit në Kuvend, deputetët sërish e shqyrtojnë dhe nëse e miratojnë me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, presidenti është i obliguar ta nënshkruajë dekretin.
Presidenti Ivanov, dje deklaroi se nuk do ta nënshkruajë dekretin “sepse këtë nuk ia lejojnë ndërgjegjja dhe Kushtetuta”.
“Edhe sipas përmbajtjes së tij represiv, edhe sipas mënyrës së dhunshme në të cilën është sjell Ligji për përdorimin e gjuhëve, nuk është shprehje e demokracisë. Kushtetuta dhe ndërgjegjja nuk më lejojnë ta nënshkruajë Dekretin për shpalljen e një ligji të tillë”, theksoi Ivanov në fjalimin e tij, duke shtuar se “shumica e qytetarëve asnjëherë nuk kanë votuar e as që dikur do të votojnë për programin politik në të cilin është paraparë një ligj jokushtetues, kundër-shtetit dhe të padrejtë në mënyrë esenciale”.
Saktë, nuk është theksuar çka parashihet në rastin kur presidenti refuzon ta nënshkruajë dekretin. Sipas ekspertëve ligjorë, është e mundur shpallje automatike e Ligjit në Gazetën zyrtare me qëllim të fillojë edhe zbatimi i tij zyrtar ose të parashtrohet kërkesë para Gjykatës administrative për konfirmimin e kompetencës dhe shkeljes së procedurës administrative, shkruan Zhurnal.mk.
Kuvendi dje në atmosferë të tensionuar me 64 vota “për”, pa asnjë “kundër” dhe të “përmbajtur” për herë të dytë e solli Ligjin për gjuhët, pa debat të amendamenteve. Për Ligjin votuan edhe deputetët e komuniteteve të pakicës me 24 vota.
Ligji, i cili për herë të parë u votua më 11 janar, sërish u gjend para deputetëve pasi presidenti Ivanov nuk e nënshkroi dhe e ktheu në shqyrtim të sërish në Kuvend.