Site icon PrishtinaPress

Sindikata: RTK-ja u gjobit me tre mijë euro në 48 orët e fundit

Sindikata e Pavarur e RTK-së ka njoftuar se vetëm përgjatë 48 orëve të fundit, Inspektorati i Punës ka shqiptuar dy gjoba në vlerë prej tre mijë euro ndaj RTK-së.

Sipas sindikatës, “ajo çka është shqetësuese e që do të duhej të ishte rast për prokurori ka të bëj më konstatimin e Inspektoratit ku thuhet se autoriteti përgjegjës i RTK-së  “me vetëdije të plotë ka vazhduar procedurat e konkursit duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme””.

Sindikata e Pavarur e RTK-së thotë se është jashtëzakonisht e shqetësuar me gjobat e njëpasnjëshme të Inspektoratit të Punës, “në total 3000 euro si pasojë e veprimeve të kundërligjshme, të papërgjegjshme të Menaxhmentit të RTK-së”.

“Sot Inspektorati i Punës ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 1500 euro për shkak të paligjshmërisë të konstatuar në përzgjedhjen e Udhëheqësit të TI-se, ndërsa dje  Inspektorati kishte shqiptuar gjobë po ashtu në vlerë prej 1500 euro për shkak të procesit të paligjshëm të konkursit për pozitën Udhëheqës i Mediave Online”, thuhet në reagimin e Sindikatës, dërguar mediave.

“Po ashtu gjatë këtij viti, Inspektorati I Punës e ka gjobitur RTK-në në vlerë prej 3000 euro për degradimin e paligjshëm të kryetarit të Sindikatës Fadil B. Hoxha. Për vetëm disa muaj t’i shkaktohen kaq shumë dëme financiare kompanisë dhe askush të mos jap përgjegjësi kjo nuk do koment. SPRTK kërkon nga Kuvendi i Kosovës që  urgjentisht të thërrasin në përgjegjësi Bordin  e RTK-së në mënyrë që të ndalet kjo anarki e cila po e qon RTK-në drejt falimentimit”.

Gjithashtu SPRTK ka përsëritur kërkesën për  anulim të konkursit për Kryeredaktor i RTK1, 3 dhe 4, “i cili në tërësi është i paligjshëm dhe nëse si i tillë  shtyhet përpara atëherë gjasat janë të pashmangshme që të marrim gjobën e radhës nga Inspektorati i Punës”.

   

Exit mobile version