Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës gjatë ditës së djeshme ka mbajtur një takim me zëvendësministrin e Republikës së Kosovës, Getoar Mjekun, Valon Prebrezën, dhe me menaxhmentin e Ndërmarrjes.
Sipas tyre, ky takim ishte pa asnjë përmbajtje, qëllimi apo vullneti të sinqertë për të dhënë kontribut në tejkalimin e problemeve nga menaxhmenti.
“Për korrektësi njoftoj anëtarët e sindikatës se ky takim ishte pa asnjë përmbajtje, qëllimi apo vullneti të sinqertë për të dhënë kontribut në tejkalimin e problemeve nga menaxhmenti. Përderisa Z.Mejku dhe Z. Prebreza diskutuan për rendësin e ndërmarrjes Trepca Sh.A., dhe nevojën për investime kapitale në ndërmarrje, duke mos u lëshuar në trajtimin e problematikave reale me të cilat ballafaqohemi vazhdimisht”.
Tutje në njoftimin e tyre, thuhet se “takimi i djeshëm përkundër dëshirës dhe përpjekjeve tona si sindikatë për të adresuar problematikat me të cilat ballafaqohemi dhe për të gjetur zgjidhje konkrete nga ana e menaxhmentit nuk kishte një përpjekje e sinqertë për të gjetur rrugën e bashkëpunimit dhe tejkalimit të sfidave me të cilat ballafaqohemi. Ne adresuam shqetësimin tonë lidhur me ndaljen e pagave për minatorët grevist, duke kërkuar ekzekutimin e plotë të pagave, por menaxhmenti refuzoi kërkesën tonë, duke lënë të kuptojmë se djersa e minatorit nuk do të kompensohet”.
Nga kjo sindikatë kanë thënë se koha kur minatorët janë lënë nën mëshirën e fatit ka përfunduar dhe se do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Të nderuar anëtare, ju njoftoj se dallimet ndërmjet menaxhmentit të ndërmarrjes dhe sindikatës tonë janë të thella. Qoftë për nga trajtimi i djersës së minatorëve për punën e tyre apo trajtimi i kërkesave të tyre. Ndalja e pagave për minatorët grevist është e papranueshme dhe do të na obligoj ndërmarrjen e të gjitha masave ligjore, deri në realizimin e të drejtave tona. Ne minatorët e ndërmarrjes Trepça Sh.A. me shumë se kurdoherë duhet të jemi të bashkuar dhe të ia bëjmë me dije secilit që fati i minatorëve dhe buka e familjes se tyre nuk do ti lihet nën mëshirën e cilitdo kryeshef apo menaxhment. Koha kur minatorët janë lënë nën mëshirën e fatit ka përfunduar. Ne do të kërkojmë realizmin e të drejtave tona në çdo rrugë dhe mjet ligjor”.
Me tej, ata kanë shkruar se : Minatorët nuk nënshtrohen dhe nuk shantazhohen kurrë.