Sindikata e Policisë së Kosovës është shprehur e pakënaqur me propozimin e Qeverisë Kurti rreth shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e PK-së.
Kryetari i kësaj Sindikate, Imer Zeqiri ka thënë se nivel i shtesave të rrezikshmërisë, siç po duket sipas informacioneve nga mediat, mendojë se do të jetë i papranueshëm për forcat e rendit.
“Si Sindikatë do të reagojmë konforom kërkesave të policisë. Me atë se çfarë ballafaqohet policia, çdo policë është i rrezikum me shëndet dhe punë”, tha ai, duke shtuar se nga 23 policë të vrarë, 90% janë policë të patrullave.
“Për mua është e papranueshme kjo shumë”, u shpreh ai.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka propozuar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Shtesat për njësitë elitare, Njësia speciale intervenuese, Njësia për ndërhyrje të shpejtë, Njësia për mbrojte të afër janë nga 150 euro shtesë pagës bazë, 120 euro shtesë për Njësitë speciale operative K9 dhe njësinë për eksplozivët dhe deminim, pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarët e hetuesisë nga 75 euro në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat që njëherazi përbejnë numrin më të madh të policëve do të marrin nga 60 euro në muaj shtesë, kurse policëve që angazhohen në sigurim të objekteve dhe ata që angazhohen në menaxhim të operacioneve do të ju ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë”, është shprehur Kurti. /Indeksonline/