Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), ka reaguar përms një statusi në “Facebook” ndaj hartimit të rregullores së brendshme nga drejtori i AA-së Bujar Ejupi.
Ky është postimi i plotë i sindikatës së AAC-së:
Sindikata e AAC-së kundërshton projekt-rregulloren e brendshme të AAC-së të cilën Drejtori Bujar Ejupi e ka dërguar në MPB për aprovim, si dhe të gjithë procesin që i ka paraprirë këtij dokumenti.
Sindikata ka siguruar projekt-rregulloren e brendshme përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi sepse Bujar Ejupi ka refuzuar ta ndajë atë.
Projekt-rregullorja të cilën e ka hartuar vet Bujar Ejupi, edhe pse me ligj parashihet që kjo të jetë punë e Grupit Punues, ka për qëllim shkatërrimin e një strukture funksionale e cila ka dëshmuar rezultate të konfirmuara nga vlerësimet ndërkombëtare që nga viti 2011, degradimin e pozitave dhe strukturave ku punojnë anëtarët e Sindikatës dhe avancimin e pozitave dhe strukturave ku ndodhen personat e dëgjueshëm të Ejupit.
SPAAC mbron fuqishëm argumentin se Drejtori aktual nuk e ka kredibilitetin që të dizejnojë të ardhmen e AAC-së dhe të ekspertëve brenda saj për shkak të keqmenaxhimit të organizatës të vërtetuar me mosmiratimin nga Kuvendi i Kosovës të dy Raporteve Vjetore të Punës së AAC-së. Për të mos u mjaftuar me kaq, dy raporte nga institucione ndërkombëtare: njëra e mundësuar përmes Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit (EASA) dhe tjetra nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Islandës (ICETRA) rishtazi kanë konfirmuar atë që SPAAC vazhdimisht e ka sinjalizuar se AAC nën udhëheqjen e Bujar Ejupit nuk është funksionale, gjë që kërkon zgjidhje emergjente. Ndërsa për qasjen jo dinjitoze dhe diskriminuese ndaj stafit flet Raporti i Avokatit të Popullit i publikuar në qershor 2022. Një drejtor i tillë nuk i bën nderë institucionit e as shtetit dhe duhet të largohet vet ose të shkarkohet sa më parë, në mënyrë që t’i jepet mundësi AAC-së të kthejë funksionalitetin dhe profesionalizimin e dëshmuar ndër vite.
Apelojmë te Ministri Aliu dhe Kryeministri Kurti që të angazhohen urgjentisht për ta adresuar situatën në AAC.