Site icon PrishtinaPress

“Sindikalistët e PAN-it”, Çitaku për qortimin e Kurtit: Për keqardhje, ai e ka një problem

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e ka quajtur fyese deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili të dielën – mes tjerash – i akuzoi anëtarët e SBAShK-ut, duke i quajtur “sindikalistë të PAN-it”, teksa bëri thirrje që të fillojë mësimi.

Sipas Çitakut, është për keqardhje që kryeministri Kurti vazhdon t’i trajtojë në mënyrë të padinjitetshme mësuesit dhe arsimtarët tanë.

E kontaktuar nga Paparaci, ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, theksoi se sindikatat nuk janë as të PDK-së, as të LDK-së apo LVV-së.

“Siç duket kryeministri e ka problem t’i kuptojë organizatat që funksionojnë të pavarura dhe që nuk nënshtrohen”, shtoi ajo.

Mes tjerash, ajo u shpreh se një gjuhë e përdorur nga shefi i qeverisë është fyese pasi atë e kanë votuar 50 për qind të qytetarëve të Kosovës.

Bëri thirrje që dialogu social mes Qeverisë Kurti dhe Sindikatës së Arsimit të rifillojë dhe të gjendet një zgjidhje, pasi viktima janë nxënësit të cilët tash e disa javë po qëndrojnë në shtëpi, si pasojë e grevës.

“Ai s’është kryeministër i LVV-së, por është i të gjithëve. (Kurti) duhet ta rikthejë dialogun social dhe të bashkëbisedojë. Kokëfortësia nuk është zgjidhje. Ky duhet të jetë shqetësimi e jo për kë votojnë (mësimdhënësit)”, përfundoi ajo.

Të dielën, pasi votoi në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje ku po garon për kreun e kësaj partie, Kurti është deklaruar para gazetarëve për grevën që po vazhdon të mbahet nga SBAShK-u.

Ai u drejtua me fjalë të ashpra sindikalistëve, duke i quajtur ata “sindikalistë të PAN-it” – koalicioni PDK-AAK-Nisma, që drejtohej më 2017 nga Ramush Haradinaj.

“Bëhet fjalë për një inati anti-qeveritar. Sindikalistëve të PAN-it iu ka ndalur sahati më 5 qershor, 2017. Aty iu ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it. Tash dëshirojnë t’ia bëjnë një shërbim PAN-it në opozitë. Është keq se sa shumë po humbim”, tha Kurti./Prishtinapress/

Exit mobile version