Prej vitit 2015 nuk ka pasur grevë nga sindikalistët e arsimit për rritje të pagave por ka pasur paralajmërime të shumta për një gjë të tillë. Sindikalistët e shohin të vonuar një ngritje page për këtë kategori ngase thonë se kontributi i secilit mësimdhënës është jashtëzakonisht i madh.Por krejt ndryshe mendojnë ata që e monitorojnë sistemin e arsimit.
Një mësimdhënës i nivelit fillor në Kosovë, pagën bazë e ka 405 euro ndërsa ai i nivelit të mesëm, 435 euro.
Rritjet e shpeshta të pagës bazë për punëtorët arsimorë janë bërë si rezultat i premtimeve të shumta nëpër fushata zgjedhore nga partitë e ndryshme politike, por duke mos përjashtuar këtu edhe grevat e herëpashershme të sindikalistëve të Arsimit, raporton KTV.
E që nga viti 2015, nuk është mbajtur më kurrfarë greve me këtë kërkesë.
Por një paralajmërim tjetër vjen tash nga Sindikata e Arsimit.
Rrahman Jasharaj thotë të kenë pasur një takim me zyrtarë të BSPK-së, ku janë marrë vesh që sërish të ngrihet çështja për rritje të pagave për këtë sektor, pasi ekzekutivi po stepet kur po bëhet fjalë për ngritje të pagave.
Janë dhënë kritika të shumta nga njohës të arsimit se ndonëse pagat e mësimdhënësve janë të mira, performanca e tyre mbetet e dobët.
Por këtë e mohon Jasharaj. Sipas tij, mësimdhënësit deri tash nuk i ka ndihmuar askush dhe kanë mbetur peng i eksperimentimit të shumë kurrikulave.
Njohësi i Arsimit Rinor Qehaja thotë se patjetër paga e mësimdhënësve duhet të korrespondojë me cilësinë e secilit mësimdhënës, pasi kjo është detyra e tyre.
Ndërkaq, Arton Demhasaj mendon se paga e mësimdhënësve është shumë e madhe, krahasuar me sektorë të tjerë.
Premtime për rritje të pagave për këtë nivel ka pasur gjatë çdo fushate për zgjedhje të përgjithshme në vend.