3.1 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Buy now

spot_img

Sinani pret lehtësime nga Kosova për Luginën pas vendimit për targat

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani e ka mirëpritur vendimin e qeverisë së Kosovës në lidhje me reciprocitetin e targave me shtetin serb. Sinani në një prononcim për Gazetën Express tha se pret nga qeveria Kurti lehtësime për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Vendimi për reciprocitetin e targave me Serbinë të cilin qeveria e Kosovës ka filluar ta zbatojë nga dje pashmangshëm do t’i prekë edhe shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Megjithatë, vendimin për targat e ka mirëpritur kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

Sinani i tha Gazetës Express se procesi i fuqizimit të sovranitetit të Kosovës është në interes edhe të Luginës së Preshevës.  

“Mirëpresim çdo vendim që sovranizon Republikën e Kosovës, si masat e reciprocitetit lidhur me përdorimin e targave të përkohshme të shtetasve të Republikës së Serbisë. Procesi i fuqizimit të sovranitetit të Republikës së Kosovës është në interes edhe të Luginës së Preshevës”, tha ajo.

Kryetarja e Preshevës u shpreh poashtu se pret nga qeveria që të aplikojë lehtësime për shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës.

“Si i tillë, besojmë se edhe procesi i masave të reciprocitetit i Qeverisë së Republikës së Kosovës do të shoqërohet ditëve në vijim me vendime në interes të Luginës e Preshevës. Në rastin konkret me vendime që do ta lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve të Komunës së Preshevës dhe të Luginës së Preshevës në Republikën e Kosovës”, tha ajo.

Lidhur me vendimin për reciprocitet të targave të përkohshme, deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi  tha se faji për situatën e krijuar është në anën e Serbisë.

Kamberi tha sot për Express se megjithatë, vendimi do t’ju shkaktojë telashe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Sigurisht që shqiptarëve të Luginës së Preshevës do t’ju shkaktojë telashe shtesë, së pari rreth tollovisë që do të shkaktohet në vendkalimet kufitare në Konçul e Muçibabë, por, nëse Serbia duhet bindur se duhet respektuar marrëveshjet e nënshkruara, nëse ky vendim i reciprocitetit është vlerësuar si rrugë drejt arritjes së këtij qëllimi, duhet pritur reagimet”, tha Kamberi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img