Site icon PrishtinaPress

Sinani i përgjigjet Arifit: Nuk kam asnjë aktpadi, s’mund të më shantazhoj askush

Këshilltarja politike e kryeministrit Albin Kurti për Preshevë, Ardita Sinani, i është përgjigjuar pretendimeve të kryetarit të Preshevës, se ajo është e përfshirë në skandalin e vjedhjes së mbi 100 mijë eurove në komunë.

Në një përgjigjie për klankosova.tv, Sinani ka mohuar një gjë të tillë.

”Nuk është e vërtetë që jam e akuzuar nga gjykata serbe për korrupsion, nuk kam asnjë aktpadi. Në Prokurori në Nish më ka paraqitur Shqiprim Arifi pasi kemi ndërprerë bashkëqeverisjen. Ajo është hedhur poshtë”.

Madje Sinani hedh poshtë edhe supozimet e Arifit se ajo është e shantazhuar.

”Nuk mundet askush të më shantazhojë. Gjatë qeverisjes sime asnjëherë nuk kam pas koalicion me Listën Serbe. Ai ka pasur dy herë koalicion-shumicën me Listen Serbe, ku edhe ka qenë i varur dhe i shantazhuar nga ta. Ky kontekst e sidomos fakti se z.Arifi ka qenë vazhdimisht partner bashkë qeverisës i SNS së Vuçiqit që kontrollon gjithçka në Serbi”.

Sinani po ashtu pati edhe disa sqarime shtesë lidhur me fotografinë e publikuar nga Arifi në llogarinë e tij.

”Për më tepër po ju jap edhe këto sqarime:

Foto e shkëputur dhe shpërndarë për qëllimet propaganduese nga ai në Facebook është nga një ngjarje e datës 22.05.2017 gjatë shënimit të 2-vjetorit të funksionimit të kampit të refugjatëve në Preshevë. Aty unë kam qenë e ftuar nga Komisariati i Lartë për Refugjat në cilësinë e kryetares së komunës pasi që asokohe Presheva nga ata ishte zgjedhur komuna që i trajtoi më së miri migrantët në Rutën e Ballkanit”.

”Në atë solemnitet përpos pushtetit lokal, delegacionin e të cilin e kam kryesuar unë si kryetare e komunës, kanë qenë të pranishëm edhe Karla Hershi, koordinatore UN për Serbi, ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Japonisë, Gjermanisë, Norvegjisë, BE-së si dhe ministritë nga qeveria e Serbisë që kanë ndihmuar këtë qendër pranuese të migrantëve”.

”Në atë kohë Vulin ishte ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Jo shef i BIA-s siç është munduar të paraqes në mënyrë propaganduese kjo faqe në Facebook. Andaj, unë u hedh kategorikisht poshtë këtë një pretendim të tillë i cili qëllim ka dezinformimin e opinionin publik dhe dëmtimin e reputacionit tim dhe kryeministrit Kurti”.

Exit mobile version