Komanda e Forcave Tokësore e Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjatë muajit dhjetor ka realizuar trajnimin taktik dhe të mbijetesës “Simboli i ujkut“.
“Simboli i ujkut” është njëri prej trajnimeve më të avancuara dhe me sfiduese me të cilat përballen pjesëtarët e FSK-së dhe tashmë, kjo është gjenerata e 5-të që realizon këtë trajnim.
Trajnimi zhvillohet në dy faza, në fazën teorike dhe atë praktike. Njohuritë e fituara në fazën teorike pjesëtarët kanë mundësinë që t’i testojnë edhe në atë praktike në shumë tema si: navigimi ditën dhe natën, lidhjet, repelimi, kalimi i pengesave ujore, marshime me pesha të rënda, marshime të gjata, evakuim i viktimave, shkëputja e kontaktit dhe formacionet e lëvizjes, ngritja e kurtheve dhe strehimoreve si dhe mbijetesa në kushte të dimrit.
Gjatë fazës finale të gjitha temat e mësuara duhet të aplikohen me saktësi nga pjesëtarët në operacionin final, i cili në fillim zhvillohet në ujin e akullt të Liqenit të Radoniqit dhe më pas vazhdon me marshime të gjata dhe me detyra të shumta përgjatë gjithë operacionit.
Në trajnimin “Simboli i Ujkut “pjesëtarët përballen me vështirësi të mëdha, duke bartur pesha të rënda me mbi 40 kg dhe vetëm me nga një racion ushqim në 24 orë.
Trajnimi ka për qëllim testimin dhe avancimin e kapaciteteve taktike, fizike dhe psikike të pjesëtarëve të FSK-së.
Trajnimi përfundon me sulmin në objektiv, i cili përcillet me marshimin tradicional në kazermën “Ushtarët e NATO-s“ në Istog, që simbolizon përfundimin me suksese të një përballjeje mjaft të vështirë treditore në një gjatësi prej 100 kilometrash, e përcjell edhe me një ndjenjë të papërshkruar krenarie.
Në fund të trajnimit u mbajt edhe ceremonia e përfundimit të këtij trajnimi, ku të gjithë pjesëtarët u pajisen me certifikata dhe me simbolin e ujkut, të cilin do ta bartin gjatë gjithë karrierës së tyre ushtarake.