Site icon PrishtinaPress

Simbolet e Skënderbeut, origjinale apo të shpikuar?!

Vjena është një qytet që mbart thesare. E tillë është edhe për shqiptarët. Në Muzeun Botëror të Vjenës është Koleksioni i armëve. Aty qëndrojnë edhe shpata e përkrenarja e Skënderbeut- heroit mitik të shqiptarëve.

Në Shqipëri ato shkuan për herë të parë në 100 vjetorin e pavarësisë, në vitin 2012, me ligj të veçantë. Por në 550 vjetorin e vdekjes, i cili është shpallur si “Vit i Skënderbeut”, nuk ka plane për zhvendosje, transmeton AktivPress. Vjena nuk i lëshon këto relikte. Ato kanë rëndësi simbolike si pronë mbretërore habsburgase.

Po si erdhën këto relikte në dorën vjeneze?

Drejtori i Muzeut të Armëve, historiani Matthias Pfaffenbichler në një intervistë për Deutche Welle tregon se Ferdinand von Tirol, si një habsburgas i madh që kishte një koleksion të pasur donte patjetër diçka edhe nga Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.

“Skënderbeu kishte drejtuar vetë dy fushata  kundër turqve pak a shumë me sukses dhe Ferdinand von Tirol kishte shumë afinitet ndaj heronjve të tillë. Gjergj Kastrioti ishte strategu më i suksesshëm kundër turqve. Dhe, ishte e qartë që ai donte relikte ushtarake prej tij në koleksion”, ka thënë  Pfaffenbichler.

Historiani ka folur edhe rreth origjinalitetit të relikteve të Skënderbeut.

“Nëse ato janë origjinale, të përmirësuara apo aspak origjinale kjo është vështirë të thuhet. Dimë se ai i siguroi këto simbole në shekullin XVI përmes Italisë. Ferdinand von Tirol kishte lidhje të forta me Italinë. Edhe familja e Skënderbeut emigroi në Italinë Jugore, pasi mbretëria shqiptare në veri u shpërbë. Pastaj u ndërmjetësua përkrenarja e nga fundi i shekullit XVI dokumentohet si e Skënderbeut”, ka thënë Pfaffenbichler për DW.

Përkrenarja, sipas tij, me gjasë ishte planifikuar për kurorën e mbretit të Epirit.

“Papa Piu II done ta bënte Gjergj Kastrioitin mbret të Epirit. Ishte planifikuar një fushatë e madhe, por që nuk u zhvillua. Papa Piu vdiq në Ankona. Kurora pra nuk u prodhua kurrë. As Skënderbeu nuk u kurorëzua. Nuk thuhet dot se kjo përkrenare që do të ishte edhe emblemë e Epirit ishte pjesë e kësaj kurore që nuk u jetësua kurrë”, ka shpjeguar ai.

Shpata e përkrenarja e Skënderbeut janë simbole të pavarësisë së shqiptarëve, e si  simbole ekzistojnë pavarësisht nëse janë origjinale, pjesërisht origjinale apo komplet të shpikura.

Simboli mbetet simbol./DW/

Matthias Pfaffenbichler

Exit mobile version