Site icon PrishtinaPress

Silvinjo dhe Gjimshiti në prag të Çekisë: Kemi gjithçka për të marrë maksimumin!

Në prag të përballjes së parë të muajit shtator kundër Republikës Çeke, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’, që do të luhet mbrëmjen e së enjtes në stadiumin ‘Fortuna Arena’, në ora 20:45, trajneri i Shqipërisë, Sylvio Mendes Campos Junior dhe mbrojtësi i ekipit kombëtar, Berat Gjimshiti dolën në konferencën zyrtare për media.

Ndërsa iu përgjigj interesit të mediave shqiptare dhe çeke, trajneri Silvinjo u shpreh se përballja me Çekinë është shumë e rëndësishme dhe koha në dispozicion për të përgatitur këtë ndeshje ka qenë e pakët. E megjithatë, tekniku i ekipit tonë kombëtar është shprehur shumë i kënaqur për gjendjen e lojtarëve të grumbulluar dhe për gatishmërinë e tyre. Trajneri Silvinjo vlerësoi kundërshtarin çek ndërsa tha ndër të tjera se ende nuk e ka vendosur formacionin e 11 titullarëve që do të zbresin në fushë nga minuta e parë për ndeshjen kundër Çekisë. Mesazhi për kuqezinjtë është një i vetëm: Nuk duhet të mungojë përqëndrimi në fushën e lojës.

Si i kam motivuar lojtarët për sfidën kundër Çekisë? – Është një ndeshje e rëndësishme. Kanë qënë dy ditë, kështu është këtë herë, ka qënë një periudhë që duhet të menaxhonim lojtarët, të punonim me video, nuk kemi pasur mundësi të punojmë shumë në fushë, por me video. Kemi punuar fort duke analizuar kundërshtarin dhe përgatitur në mënyrën më të mirë. Ka qënë një kohë e pakët ku kemi menaxhuar skuadrën në nivel individual dhe si grup ku kemi ndarë informacion. Jam i kënaqur për gjëndjen e skuadrës. Motivimi është i lartë dhe duhet të them se nesër është një ndeshje e vështirë, djemtë e dinë këtë dhe ata janë mësuar të luajnë në të tilla ndeshje. E qartë që kërkohet një përgjegjësi më e madhe këtë herë, duke parë ndeshjen që kemi përpara. Ne e ndjejmë përgjegjësinë që kemi, këto janë ndeshje për t’u shfrytëzuar në mënyrën më të mirë. Janë ndeshje të rëndësishme dhe të gjithë duan të luajnë. Jam shumë i lumtur për këtë.

Formacioni i i Shqipërisë kundër Çekisë – Ne akoma nuk kemi vendosur për disa pozicione se kush do të luajë. Kemi bërë një rrugë të mirë deri më tani. Ndihemi mirë me mënyrën e lojës. Duhet të menaxhojmë mirë të gjithë lojtarët. Nesër në mëngjes do të zhvillojmë dhe një seancë të fundit. Kush është në 100%-shin e tij do të zbresë në fushën e lojës si titullar. Është një ndeshje që kërkon nivel përqendrimi shumë të lartë. Nëse ka diçka që duhet t’i thuhet lojtarëve në përgatitje është se në këto ndeshje, përqendrimi nuk duhet të mungojë. Ata janë një skuadër shumë e fortë, kanë një trajner që ndodhet këtu prej disa vitesh. Ai ka lojtarë shumë të fortë. Do të jetë një ndeshje e bukur. Të shikojmë nesër por më duhet të them se ne si skuadër kemi tashmë një mënyrë loje, kemi bërë një rrugë të mirë deri më tani, duhet të ecim në drejtimin e duhur. Nesër mbetet për t’u parë.

Llogaritë? – Ne në këtë moment nuk jemi akoma në gjysmën e ndeshjes. Mungojnë akoma edhe 5 finale. Nesër do të jemi në 50% të rrugës dhe do të kuptojmë sa janë shanset tona. Nesër është e rëndësishme paraqitja, të ecim përpara në rrugën tonë, të bëjmë një lojë të bukur dhe të marrim pikë sepse ndryshe nuk arrijmë dot tek objektivi ynë. Llogaritë mund të bëhen vetëm në nëntor. Llogaritë nëse duhet të luanim për barazim ose fitore mund t’i shikojmë në nëntor, sot nuk bëhen llogari. Unë jam absolutisht i bindur se 23 lojtarët që kam në skuadër nesër do të zbresin në fushën e lojës për të fituar. Duam të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim pikë. Llogari nuk dua të bëj, ne jemi 100% të përqendruar te kjo ndeshje me Republikën Çeke. E thashë edhe më parë që kanë një trajner ekspert me lojtarë shumë të mirë, por edhe unë jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam. Kemi lojtarë të fortë, jemi një skuadër e fortë dhe do të zbresim në fushën e lojës për të bërë mirë.

Elementi plus që duhet – Nëse duhet të themi një element më shumë që duhet të ketë kjo skuadër, sigurisht është niveli i përqendrimit që duhet të ketë Shqipëria në një ndeshje si kjo. Niveli i përqendrimit duhet të jetë shumë i lartë, lidhet me atë që thamë më parë. Fokusi në këtë ndeshje duhet të jetë jo i lartë, por shumë i lartë. Në ndeshje si kjo merr vlerë dhe shprehja që nuk humbet skuadra që bën më shumë, por ajo që bën më pak gabime mund të marrë maksimumin. Është një ndeshje që në nivel teknik dhe taktik është shumë lart dhe ndodhta një gabim i vogël mund të hedhë në erë gjithçka, mund të humbasë ndeshjen. Kjo është ajo që duhet të bëjmë këtë herë, të jemi të fokusuar në maksimum. Luajmë ndaj një kundërshtari mjaft të fortë si Çekia, luajmë në një stadium shumë të mirë. Kemi lojtarë të mirë në dispozicion, i kemi të gjithë elementët e duhur për të marrë maksimumin.

Sa e kam analizuar Çekinë personalisht? – Kam parë shumë ndeshje të Çekisë. Ndërsa isha me pushime, kam parë 7 ndeshje të Çekisë dhe të tjera pas 31 korrikut kur jam kthyer në punë. Kemi analizuar Çekinë, kemi parë thuajse të gjitha ndeshjet si staf dhe momentet kryesore. Janë ekip shumë i organizuar, vlerësoj dhe trajnerin e tyre që është me Çekinë që prej 2008. Lojtarët çekë janë shumë të fortë, sidomos në aspektin fizik, të gjatë. Mund të mbërrijnë në zonën kundërshtare me 4-5 lojtarë dhe janë shumë të rrezikshëm. Edhe në mbrojtje. Janë shumë të organizuar/

Si e mban mend trajneri golin që ka shënuar si lojtar? – Nuk është një kujtim i bukur për mua sepse unë shënova në atë ndeshje, por ne e humbëm ndeshjen. Më pëlqen Praga. Shpresoj të shoh një gol të bukur si ai që shënova unë. Ndoshta shënon Mario.

Mbrojtësi i Kombëtares, Berat Gjimshiti u shpreh që kuqezinjtë janë gati të përballen me Çekinë nesër dhe besojnë 100% se mund t’ia dalin të marrin një rezultat pozitiv në Pragë. Duke iu përgjigjur interesit të mediave, mbrojtësi shqiptar tregoi se skuadra e ka përgatitur mirë ndeshjen dhe se i kanë studiuar mirë çekët në lojën e tyre. Gjimshiti nënvizoi se skuadra është e fokusuar totalisht te ndeshja e nesërme kundër Çekisë, ndërsa tha se dëshira e tij është të kualifikohet me Kombëtaren në Europian dhe të jetë pjesë e grupit në finalet ‘Gjermani 2024’.

A mund t’ia dalim nesër me Çekinë? – Sigurisht që po. Jemi një grup me shumë eksperiencë dhe me lojtarë të rinj që japin gjithçka. Besojmë 100%, nëse nuk besojmë, gabojmë. Vendimtare? Çdo ndeshje është vendimtare, nuk ka rëndësi kundërshtari, a është Çekia apo Moldavia. Janë gjithmonë 3 pikë në lojë. Janë ndeshje finale ku duhet të japim maksimumin dhe më pas shohim ku do të arrijmë.

A janë marrë masat për shtatlartësinë e çekëve? – Është e drejtë, Çekia ka lojtarë me gjatësi të madhe. Nuk i arrijmë shumë me shtatlartësi, por do bëjmë futbollin, do kemi kujdes në topat në ajër kur të luajnë çekët. Në goditjet standarde janë shumë të rrezikshëm. Duhet të kemi përqendrim. Nuk është vetëm gjatësia që e ndryshon lojën, duhet të jemi vetvetja, të kemi besim. Nëse do që mos ta kapë topin kundërshtari, e merr. Besoj që ajo është cilësia e duhur.

Si është të luash për Shqipërinë – Në Kombëtare kemi lojtarë nga Maqedonia e Veriut, Presheva, Kosova. Çdo lojtar e di se për çfarë është këtu, të japë gjithçka në fushë. Shumë njerëz kanë vuajtur për të arritur në këtë pikë, por besoj se kur luan jo për fanellën, por për diçka më të madhe, për Kombin tonë, është diçka e papërshkrueshme.

Motivimi për të shkuar në Europian? – Motivimin nuk mund të them që e kam më të madh se lojtarët që janë në grumbullim. E kam gjithmonë motivimin kur jam në Kombëtare. Dua ta arrij edhe një herë kualifikimin. Sigurisht është një motivim shumë i lartë, jo vetëm të kualifikohem por edhe të jem atje. Edhe atëherë u kualifikua, por nuk isha në Europian. Besoj se motivimi është te çdo njeri që është këtu në Kombëtare, që jep gjithçka. Ato janë ndeshje që mbeten në histori për çdo futbollit. Motivimi është shumë i lartë edhe për mua personalisht.

Sa ndihet pesha e përgjegjësisë për të arritur objektivin? – Ndihet. Ndonjë lojtar e ndjen më fort peshën e përgjegjësisë. Ka dhe lojtarë që kanë luajtur ndeshje me presion të lartë në klubet specifike. Edhe veten e fus këtu, kam luajtur ndeshje me presion të lartë dhe besoj se mund të përballem. Por, lojtarët e dinë vlerën e kësaj ndeshje dhe do të përmbahen e do të përballen me presionin sepse kemi vetëm diçka në kokë: KUALIFIKIMI.

Çekia pa Patrik Shik, më e lehtë? – Forca e Çekisë nuk janë individualitetet, është grupi. Kanë një forcë shumë të lartë, me ekipe që luajnë në klube të mëdha, me shumë cilësi. Unë e njoh Patrik Shik, pasi kam luajtur në Itali me të, është një lojtar super i fortë. Ka pasur dëmtime, që e kanë frenuar nga forma, por do rikthehet edhe ai. Çekia mbetet një ekip shumë i fortë dhe favorit për t’u kualifikuar.

Më mirë 3 pikë në Çeki dhe barazim me Poloninë, apo 1 pikë me Çekinë dhe fitore me Poloninë në Tiranë – Të shikojmë nesër, se si do shkojë ndeshja. Janë dy ndeshje të ndryshme. Mendojmë vetëm ndeshjen me Çekinë fillimisht dhe pastaj shohim ndeshjen e radhës. Kemi tre ditë kohë për të përgatitur Poloninë. Fokusi ynë është të japim gjithçka në ndeshjen e nesërme.

Exit mobile version