Lionel Messi po i “çmend” amerikanët me paraqitjet e tij fenomenale.
Ylli argjentinas shkëlqeu edhe në ndeshjen e fundit kundër FC Dallas, ndaj të cilit i shënoi dy gola për ta çuar ekipin e tij në çerekfinale të Kupës së Ligës.
E goli i shënuar në minutën e 85-të nga ana e kampionit të botës ishte vërtetë spektakolar.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë e realizoi një gol me mjeshtri nga gjuajtja e lirë.
E këtë gol magjik e pati fatin ta shihte dhe ta shijonte edhe sigurimi i stadiumit.
Ky i fundit e harroi krejt punën që po e kryente dhe që duhej të shikonte kah shikuesit, për ta kthyer përkohësisht kokën kah fusha dhe për ta parë kryeveprën e ish-futbollistit të Barcelonës dhe të Paris Saint-Germainit.
Dhe, pasi Messi gjuajti në shenjë, sigurimi e kapi kokën me duar duke mbetur i impresionuar nga ajo çfarë bëri “gjeniu i futbollit”.