Nga janari e deri në korrik të këtij viti, Kosova ka shpenzuar mbi 305 milionë euro në përkrahje financiare për personat e pensionuar dhe për ata që janë në skema të ndryshme sociale.
Në skemat e tilla përfshihen kategori të ndryshme: nga pagesat mujore për veteranët e luftës e deri te pensionet për kompensimin e punonjësve të arsimit për punën e bërë gjatë viteve 1990.
Në raportin e publikuar në fund të gushtit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës janë specifikuar 15 kategori të ndryshme.
Në krahasim me vitin e kaluar, numri i këtyre personave që marrin mbështetje financiare nga buxheti i shtetit ka rënë për 19 mijë.
E, rënia e numrit të përfituesve ka bërë që, gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, të ulen edhe shpenzimet nga buxheti i Kosovës për rreth 31 milionë euro më pak sesa gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të ofruara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin “Statistikat e mirëqenies sociale”, më së shumti para janë shpenzuar për pagesat ndaj personave që kanë dalë në pension, ndjekur nga pensionet për veteranët e luftës.
Rreth 19 milionë euro nga paratë e shpenzuara për mirëqenie sociale këtë vit kanë shkuar për pagesat për familjet, të cilat jetojnë në varfëri.
Numri më i madh i këtyre pagesave – që maksimumi mund të arrijnë deri në 250 euro për familje dhe shuma varet nga numri i anëtarëve në familje – janë proceduar në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Në këtë komunë, rreth 8.880 persona morën ndihmë gjatë muajit korrik – shifër kjo dukshëm më e lartë se në cilëndo komunë tjetër. Pas Mitrovicës së Jugut radhitet Vushtrria me gjithsej 5.670 përfitues të ndihmave sociale.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë në tremujorin e fundit të vitit 2022 ishte 11.8 për qind.
Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ka shpërndarë edhe ndihma të tjera përmes subvencionimeve të hapura në platformën digjitale E-Kosova, ku qytetarët kanë pasur mundësinë të aplikojnë për pajisje elektrike, izolim të shtëpisë, etj. /A2CNN