Site icon PrishtinaPress

Si u koordinua Kadri Veseli me NATO-n për bombardimet në vitin ’99?

Kadri Veseli, në hapjen e fushatës së PDK në Mitrovicë, shpalosi një rrëfim emocional nga koha e luftës në Kosovë, duke e shkëputur një moment nga viti 1999, kur popullata shqiptare ishte e rrethuar nga forcat serbe dhe qindra të plagosur ishin të pashpresë.

Por, pas një koordinimi të tij me NATO-n, prirë nga SHBA-ja, kishin pasuar bombardimet, për t’i shpëtuar të gjithë, të plagosurit, gratë dhe fëmijët.

Bëhet fjalë për ngjarjen në Baicë të Drenasit, e cila kishte ndodhur në prill të vitit 1999.

“Në prill të vitit 1999, në Baicë të Drenasit, kishim një numër të madh të të plagosurve rëndë, civilë e luftëtarë, të cilët po mundoheshim t’i zhvendosnim në bjeshkët e Kosmaqit. Ishim të rrethuar nga të gjitha anët prej forcave serbe. Ishte një situatë tejet e vështirë.

Doktor Fadil Beka, që kujdesej për të plagosurit, ishte në prag të dëshpërimit, sepse nuk kishte çfarë të bënte më tepër. E pashë në sy dhe i thashë: ‘Nuk jemi vetëm’. Me një telefon satelitor që kisha, isha në përpjekje për t’u koordinuar me aleatët, që të pasonin sulmet.

Nuk kaloi shumë dhe aeroplanët e lirisë erdhën, nisën të bombardonin, dhe shpëtimi erdhi për të gjithë aty: për të plagosurit, për fëmijët, për të gjithë”, ka rrëfyer Veseli.

Ai e kishte treguar këtë moment, për të thënë më pas se për t’u rikthyer në rrugën e suksesit, në rrjedhën e fitores, Kosova duhet të kthehet në nivelin e koordinimit të vitit 1999.

“Ju them të besoni në Kosovën dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku, si dikur”, ka shtuar Veseli.

Në fakt, këtë ngjarje të vitit 1999 e kishte treguar kohë më parë, në hollësi, Doktor Fadil Beka, i cili ishte përkujdesur për të plagosurit.

Ai ka thënë se po të mos ishte Kadri Veseli në atë moment, të gjithë do të rrezikoheshin dhe koordinimi i Veselit me NATO-n ka qenë vendimtar për t’i shpëtuar ata.

Më poshtë, mund ta ndiqni këtë rrëfim emocional.

Exit mobile version