Site icon PrishtinaPress

Si ta kuptoni që fëmijët tuaj po përjetojnë ankth ose depresion?

Shumë fëmijë kanë frikë dhe shqetësime, si dhe mund të ndihen të trishtuar dhe të pashpresë herë pas here. Këto ndjesi mund të shfaqen në kohë të ndryshme gjatë zhvillimit të fëmijës suaj

Ajo që duhet të dini është se format e vazhdueshme të frikës dhe të trishtimit mund të vijnë nga ankthi dhe depresioni.

Këtu do të gjeni disa fakte rreth ankthit dhe depresionit tek fëmijët.

Ankthi

Kur fëmijët i tejkalojnë frikërat tipike të moshës së tyre ose kur kanë frikë dhe shqetësime të cilat i shfaqin në shkollë, shtëpi, aktivitete ose lojëra, mund të diagnostikohen me një çrregullim ankthi. Disa nga çrregullimet e ndryshme të ankthit mund të jenë:

Të pasurit frikë kur janë larg prindërve (ankthi i ndarjes).

Të pasurit frikë ekstreme për një gjë ose për një situatë specifike, siç janë qentë, insektet ose vizitat tek mjeku (fobi).

Të pasurit frikë nga shkolla apo vendet e tjera ku ka njerëz (ankthi shoqëror).

Të qenit i shqetësuar për të ardhmen dhe për gjërat e këqija që mund të ndodhin.

Pasja e episodeve të përsëritura të frikës, që mund të vijë me simptoma si rrahjet e zemrës, probleme me frymëmarrjen ose marrje mendsh.

Simptomat e ankthit mund të përfshijnë gjithashtu probleme me gjumin, lodhje fizike, dhimbje koke ose dhimbje stomaku.

Depresioni

Ndonjëherë të qenit i pashpresë është pjesë e jetës së çdo fëmije. Sidoqoftë, disa fëmijë ndihen të trishtuar ose të painteresuar për gjërat që i pëlqenin dikur, ose ndihen të pafuqishëm dhe të pashpresë në situata që në të vërtetë janë në gjendje t’i ndryshojnë.

Disa shembuj që mund të karakterizojnë depresionin tek fëmija juaj janë:

• Ndihen të trishtuar për një kohë të gjatë.
• Humbja e dëshirës për t’u kënaqur apo për të bërë gjëra argëtuese.
• Shfaqja e ndryshimeve në mënyrën e të ngrënit – duke ngrënë shumë më shumë ose duke ngrënë më pak.
• Shfaqja e ndryshimeve në orarin e gjumit.
• Shfaqja e ndryshimeve në energji – të qenit i lodhur, i ngadaltë ose i tensionuar dhe i shqetësuar për një kohë të gjatë.
• Ndjesi të të qenit i pavlefshëm, i padobishëm ose fajtor.

Si mund ta trajtoni ankthin dhe depresionin tek fëmija?

Hapi parë është të flisni me një specialist të shëndetit mendor. Disa nga shenjat e ankthit ose depresionit mund të shkaktohen nga faktorë të jashtëm, siç është trauma.

Një profesionist i shëndetit mendor mund të zhvillojë plane terapie, e cila mund të përfshijë terapi për fëmijë, terapi familjare ose kombinim i të dyjave.

Gjithashtu, edhe shkolla mund të bëhet pjesë e terapisë së fëmijës. Mos e neglizhoni mirëqenien mendore tek fëmija!

Burimi: Classlifestyle

Exit mobile version