1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Si shkuan zgjedhjet me 3.4% pjesëmarrje në veri?

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të vendit të dielën përfunduan pa asnjë incident dhe problem.

Në këtë proces zgjedhor ishte një numër vogël i votuesve me 1,567 apo 3.4 për qind sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Në Leposaviq ishin 141 votues apo 1.06 për qind, në Zubin Potok ishin 385 votues apo 5.78%, në Zveçan ishin 204 votues apo 2.92%, si dhe në Mitrovicën e veriut ishin 837 votues apo 4.62%. Po ashtu, në disa qendra të votimit nuk ishte asnjë votues.

Nga rezultatet preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës fituan nga dy komuna. Lëvizja Vetëvendosje e mori Mitrovicën e veriut, ku fitues doli Erden Atiq me 519 vota apo 66.5%, si dhe Leposaviqin me Lulzim Hetemin me 100 vota apo 73.5 përqind.

Kurse PDK-ja e mori Zubin Potokun me Izmir Zeqirin i cili i pati 196 vota apo 52.1%, si dhe Zveçanin Ilir Pecin me 114 vota apo 60%.

Në aspektin e sigurisë ky proces u monitorua nga Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i. Nga policia deklaruan se realizuan me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, “proces ky i cili në aspektin e sigurisë vlerësohet se ka kaluar i qetë dhe pa asnjë incident”. Po ashtu edhe nga institucioni i Prokurorit të Shtetit kanë pohuar se nuk pati probleme, duke shtuar se e kanë monitoruar procesin e votimit deri në fund.

Ndërkaq nga Demokracia në Veprim kanë thënë se “ndonëse zgjedhjet plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik e përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar për zgjedhjet e mbajtura këtë të diele në katër komunat veriore. SHBA-ja thotë se se zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara theksojnë se zgjedhjet për kryetar komune dhe dy zgjedhje për asamble komunale u mbajtën në komunat e Kosovës Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan/Zveqan dhe Zubin Potok më 23 prill 2023, në përputhje me Kushtetutën dhe kërkesat ligjore të Kosovës”, thuhet në reagim.

Pos SHBA-së, ka reaguar edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, i cili tha se zgjedhjet me kaq pak votues nuk kontribuojnë në një zgjidhje politike, teksa ka shtuar se tani është koha për të zbatuar ujdinë që është arritur në Ohër.

“Zgjedhjet me kaq pak votues nuk kontribuojnë në një zgjidhje politike. Na vjen keq që disa parti nuk morën pjesë. Tani është koha për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit”, ka shkruar Guerot në rrjetin social Twitter.

Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në Mitrovicën e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok ishte 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi ishin alternative me gjithsej 28 vendvotime.

Të drejtë vote patën 45 mijë e 95 persona, 18 mijë e 118 të drejtë vote patën në Mitrovicën veriore, 6 mijë e 998 qytetarë në Zveçan, 6 mijë e 661 në Zubin Potok dhe në Leposaviq të drejtë vote patën 13 mijë e 318 qytetarë.

13 qendra të votimit janë krijuar dhe mbajtur në kontejnerë të cilat janë ruajtur nga Policia e Kosovës. Zgjedhjet e jashtëzakonshme u mbajtën pas dorëheqjes së katër kryetarëve në nëntor të vitit të kaluar. Fillimisht këto zgjedhje u caktuan për 18 dhjetor, por u shtyn për sot shkak të rritjes së tensioneve

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img