-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Si po shkon procesi i ndërrimit të targave serbe?

Sërgjani nga Mitrovica e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, vendosi t’i ndërrojë targat e tij KM (Mitrovica e Kosovës) me RKS (Republika e Kosovës). Ai thekson se për një gjë të tillë ka vendosur për arsye praktike dhe shton se i duhet automjeti që të mund ta përdorë për të lëvizur kudo.

Në deklaratën për Radion Evropa e Lirë (REL), ai po ashtu sqaron se po i ndërron targat KM edhe pse nuk i ka skaduar regjistrimi, sepse ka frikë se autoritetet e Kosovës mund ta ndërpresin procesin e ri-regjistrimit në fund të marsit.

“Dëgjova se procedura është shumë e thjeshtë për automjetet që tashmë janë të regjistruara dhe të cilave regjistrimi me targa KM nuk u ka skaduar”, thotë Sërgjani.

Targat KM, të lëshuara nga autoritetet serbe, të cilat janë të paligjshme për Kosovën, ishin shkas për tensione në veri gjatë vitit 2022. Fillimisht, më 31 korrik u vendosën barrikada për këtë arsye, e më pas në nëntor serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, për shkak të suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve në targa RKS.

Pas angazhimit të madh të vendeve perëndimore, Kosova dhe Serbia arritën të bien dakord për këtë çështje në fund të nëntorit të vit`it të kaluar, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Kosova pranoi të pezullojë procesin e riregjistrimit, i cili parashikonte afate specifike. Ndërkaq, Serbia u pajtua të mos lëshojë targa të reja për qytetet e Kosovës.

Ndërkohë, kah mesi i muajit janar, autoritetet kosovare kanë ndaluar qarkullimin e automjeteve me targa KM, të cilat janë regjistruar pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas reagimeve të para se Kosova po e “shkelë marrëveshjen”, zyrtarët serbë më nuk kanë dhënë deklarata lidhur me këtë çështje.

A është rritur interesimi për targat RKS?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar, më 22 mars, se sipas informacioneve të tij nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjithnjë e më shumë qytetarë nga veriu po marrin targa RKS.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës me pyetjen se sa automjete, që nga fillimi i vitit, janë riregjistruar nga targat e Serbisë në ato të Kosovës, por përgjigja nuk është kthyer.

Kjo ministri nuk është përgjigjur as në pyetjen se a pritet që deri në nëntor të këtij viti, kur ka kaluar një vit nga arritja e marrëveshjes me Serbinë, të gjitha automjetet me targat KM të riregjistrohen në ato të Kosovës.

Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10 mijë vetura të regjistruara me targa KM.

Një punonjës i agjencisë së regjistrimit të veturave në sistemin serb, me seli në Mitrovicën e Veriut, i cili dëshiron të mbetet anonim, thotë se më nuk e evidentojnë vazhdimin e regjistrimit për targat KM, edhe pse Qeveria e Serbisë e ka bërë të mundur me rregullore një gjë të tillë, në dhjetorin e vitit të kaluar.

Në bazë të asaj rregulloreje, automjetet me targa KM lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, përkatësisht, për këto automjete, autoriteteve serbe duhet t’u tregohet vetëm polica e sigurimit dhe certifikata e kontrollit teknik.

Në atë rregullore shkruhet se etiketës i “vazhdohet” vlefshmëria deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Kosovën për targa.

Por, Kosova nuk e pranon këtë lloj vazhdimi të regjistrimit.

Punonjësi i agjencisë së regjistrimit të veturave, me të cilin ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thotë se e edhe ai vetë, në muajin janar, e ka vazhduar regjistrimin e targave KM. Por, sipas tij, kjo ishte “thjesht humbje e parave”.

“Askush nuk dëshiron të na mësojë, të na thotë se çfarë të presim… Pastaj do të thonë që të paguajmë nga një euro për metër kub, plus regjistrimin për kalimin e automjetit nga KM në RKS. Po pres deri të premten, ndoshta do të flasë dikush, kjo Lista Serbe (partia më e madhe e serbëve të Kosovës) ose nuk e di”, thotë ai.

Kosova ka ofruar lehtësim financiar për ata që vendosin që targat KM t’i ndërrojnë me RKS. Në bazë të vendimit të parë, ato përfitime duhet të vlejnë deri më 31 mars, ndërsa MPB-ja e Kosovës nuk ka specifikuar nëse do të vazhdohen.

A ka alternativë tjetër?
Ata që me këmbëngulje refuzojnë t’i marrin targat RKS, i riregjistrojnë automjetet e tyre në një nga qytetet e Serbisë. Në mesin e tyre është edhe Zorani nga Mitrovica e Veriut, i cili me profesion është shofer taksie. Targat KM i ka ndërruar me NP (Novi Pazar).

Diçka e tillë është e mundur në Serbi, me kontratën për dhuratë, gjegjësisht, automjeti regjistrohet në emër të dikujt tjetër dhe më pas drejtohet me autorizim.

Zorani ka edhe një veturë tjetër që është ende e regjistruar me targa KM, por thotë se ai personalisht nuk do të marrë targa të Kosovës.

“Në rastin tim, jo. Mua më skadon (regjistrimi për targa KM) në qershor dhe nuk e kam idenë se çfarë do të ndodhë më pas”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se në Mitrovicë të Veriut ka gjithnjë e më pak automjete të regjistruara sipas sistemit serb, si dhe thekson se gjithnjë e më shumë bashkëqytetarë të tij po vendosin të marrin targa RKS.

Por, Mirko nga Mitrovica e Veriut thotë se “më parë do ta shesë veturën se sa të kalojë në targa RKS”.

Targat në marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Çështja e targave është dashur të zgjidhet me Marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes, të vitit 2011. Beogradi zyrtar, me këtë marrëveshje ka pranuar heqjen e targave serbe për qytetet e Kosovës.

Megjithatë, ndryshe nga mjediset tjera serbe në jug të lumit Ibër, targat KM janë përdorur gjatë gjithë kohës në veri të Kosovës, derisa Prishtina zyrtare vendosi ta ndërpresë këtë praktikë, në vitin 2021.

Asokohe, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti vendosi që për të gjitha targat serbe të vendosë të ashtuquajturat targa “provuese”, që ishte një praktikë e kahershme në Serbi për targat RKS.

Edhe atëherë serbët vendas protestuan dhe vendosën barrikada nëpër komunat e veriut. Më pas, me ndihmën e BE-së u arrit marrëveshja që të vendosen letrat ngjitëse të bardha mbi simbolet shtetërore, si për targat e Serbisë ashtu edhe për ato të Kosovën.

“Regjimi i letrave ngjitëse” është ende në fuqi, duke përfshirë edhe tabelat KM.
Simbolet në targa përmenden edhe në Marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore”, thuhet në pikën e parë të Marrëveshjes bazë.

Nuk specifikohet se çfarë do të ndodhë me targat KM.

Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës, si dhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka arritur asnjë përgjigje.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img