Policia gjermane ka bërë të ditur se tre persona janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur rëndë në një sulm me thikë në Solingenit të Gjermanisë.
Bëhet e ditur se sulmi ndodhi gjatë një festivali në qendër të qytetit, derisa sulmuesi ende nuk është arritur të kapet.
Mediat atje kanë bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë parë ekipet e emergjencës, të cilët po trajtonin të plagosurit nga ky sulm, shkruan BBC.
Ndërkaq, është bërë e ditur se policia ka vënë në funksion 40 automjete taktike në ndjekjen e të dyshuarit për therje me thikë, derisa rrugët janë bllokuar dhe banorëve u është kërkuar që të qëndrojnë brenda.
Gazeta gjermane, Solinger Tageblatt tha se Philipp Muller, një nga organizatorët e festivalit ku ndodhi sulmi, tha se ekipet e urgjencës po luftonin për jetën e nëntë personave.
“Njerëzit janë të shokuar, por u larguan nga sheshi në mënyrë paqësore”, është shprehur Muller.
Ndërkaq një dëshmitar i ka thënë gazetës se e dinte se diçka nuk shkonte kur pa një këngëtare në skenë me një shprehje të çuditshme në fytyrë.
“Dhe më pas një person ra vetëm një metër larg meje”, ka thënë ai.
Mediat gjermane gjithashtu kanë raportuar se sulmuesi dyshohet se viktimat i ka goditur me thikë në pjesën e qafës.
Zëdhënësi i policisë, Aleksandër Kresta u citua nga mediat gjermane të ketë thënë se pas bisedës me dëshmitarët, momentalisht kanë vetëm supozime në lidhje me të dyshuarin.
Policia tha gjithashtu se ata “nuk kanë të dhëna për vendndodhjen e tij”, as detaje rreth pamjes së tij, shkruan BBC,
Reagim përmes Facebookut ka pasur edhe nga kryetari i bashkisë së Solingenit, Tim Kurzbach i cili tha se i gjithë qyteti është tronditur nga kjo ngjarje që ndodhi derisa po festohej 650 vjetori i themelimit të këtij qyteti.
“Sonte të gjithë ne në Solingen jemi në tronditje dhe të trishtuar. Donim festonim përvjetorin e qytetit tonë së bashku dhe tani duhet të mbajmë zi për të vdekurit dhe të plagosurit”.
“Më thyhet zemra që ka ndodhur ky sulm. Më lotojnë sytë kur mendoj për ata që kemi humbur. Lutem për të gjithë ata që ende luftojnë për jetën e tyre”, është shprehur ai.